Presidenti i Serbisë dhe lideri i Partisë Progresive Serbe, Aleksandër Vuçiç tha se beson në një fitore të rëndësishme dhe bindëse në zgjedhjet e përgjithshme serbe të 3 prillit.

“Të gjithë do të fitojnë ashtu siç e merituan, ashtu si punuan”, deklaroi ai para gazetarëve.

Vuçiç shtoi se gjëja më e rëndësishme për të është ruajtja e paqes, stabilitetit dhe sigurimi i përparimit të dukshëm ekonomik të Serbisë, raportoi Danas.

Duke iu drejtuar mediave në gjuhën angleze, Vuçiç tha se Serbia do të vazhdojë në rrugën evropiane, në rrugën drejt paqes, stabilitetit dhe prosperitetit ekonomik.

“Presim një fitore të madhe, për këtë kemi punuar dhe besojmë se do të vazhdojmë me përpjekje më të mëdha dhe kontribut më të madh në zhvillimin e këtij vendi”, ka shtuar Vuçiq.

I pyetur nga mediat ruse nëse Serbia do t’i bashkohet sanksioneve të vendosura nga Bashkimi Evropian ndaj Rusisë, ai tha se Serbia ka mbajtur qëndrim për këtë çështje, duke iu referuar konkluzioneve të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Serbisë dhe shtoi se në të ardhmen do të veprojë në përputhje me rrethanat.

/Albanianpost.com