Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken do të takohet me një zyrtar të lartë kinez, përpara zgjedhjeve presidenciale të Tajvanit të shtunën, ndërsa qeveria amerikane përpiqet të dekurajojë çdo veprim kundër ishullit autonom që Kina e konsideron provincën e saj.
Sekretari amerikan i shtetit, i cili është kthyer në kryeqytetin amerikan për një kohë të shkurtër mes turneut të tij në Lindjen e Mesme dhe forumit të Davos, do të takohet me Liu Jianchao, kreun e departamentit të marrëdhënieve ndërkombëtare të komitetit qendror të Partisë Komuniste Kineze, sipas programit të tij zyrtar siç është njoftuar nga shërbimet e tij në Departamentin e Shtetit.
Zyrtari i lartë i Shtëpisë së Bardhë John Feiner u takua me Liu Jianchao të mërkurën.
Uashingtoni nuk e njeh Tajvanin, zyrtarisht Republikën e Kinës, si shtet, ka marrëdhënie me Republikën Popullore, të cilën e njeh zyrtarisht si përfaqësuesen e vetme ligjore të kombit kinez, sipas të ashtuquajturës politikë “një Kinë”.
Por SHBA-ja megjithatë ofron shumë ndihmë ushtarake për ishullin dhe thotë se është në favor të status quo-së, për të cilën thotë se garanton paqen.
Nënkryetari i Tajvanit, Lai Ching-te, i njohur gjithashtu si William Lai, i Partisë Demokratike Progresive (DPK) pro-pavarësisë, konsiderohet favoriti për të pasuar presidentin në largim Tsai Ing-wen.