Kryeministri Edi Rama ka konfirmuar pjesëmarrjen në samitin e BE-së që mbahet më 23 dhe 24 qershor në Bruksel, pas lajmeve pozitive që erdhën nga Sofja për të votuar pro heqjes së vetos ndaj Maqedonisë së Veriut. Në një postim në Tëitter, Rama shkruan se do të jenë aty, edhe pse është shumë herët për të qenë optimistë. Ndër të tjera thekson se do të ndryshojë shumë pak nga fjalimi për Bullgarinë, për të cilën thotë se ka rrëmbyer dy vende të NATO-s duke penguar procesin e integrimit në BE. Pas kryeministrit Rama edhe presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Kovaçevski kanë marrë vendimin për shkuar në samitin e BE.

“Sapo dëgjova që diçka po lëviz sot në Bullgari. Shumë herët për të qenë optimist dhe shumë pak për të ndryshuar pjesën e fjalimit të nesërm ku Bullgaria kritikohet si një vend që ka rrëmbyer dy vende të NATO-s, ndërkohë që ka një luftë të nxehtë në kufirin e Evropës!

“Ne do të marrim pjesë në mbledhjen e Këshillit të BE-së. Nuk do të ketë shumë për të dëgjuar për ne, por ne do të kërkojmë të dëgjohemi për idenë e një Komuniteti të Ri Politik Evropian që ne mbështesim, për Ballkanin e Hapur që çon përpara frymën e Evropës dhe për rrëmbimin tonë nga Bullgaria që shkatërron atë”, shkruan Rama në Twitter.

Rama tregon se ndryshuan qëndrim pasi ish-kryeministri bullgar, njëkohësisht dhe kreu i opozitës, Boyko Borisov i ka kërkuar kryeministrit Krill Petkov që të sjellë propozimin për t’i hapur rrugën hapjes së negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Një ditë më parë kryeministri Edi Rama, në një postim në rrjetet sociale, sqaroi se pas një bisede të gjatë me liderët e Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut për Samitin e ardhshëm tha se do të refuzonin pjesëmarrjen në samitin e BE-së pasi do të përballeshin me një tjetër “Jo, më fal”.

“I gjithë Unioni i rrëmbyer nga Bullgaria nuk është një spektakël i mirë për t’u parë! Çfarë duhet bërë atje?!’- shkroi Rama.

Vetoja Bullgare ndaj Maqedonisë së Veriut qershorin e kaluar, ka bllokuar procesin e negociatave edhe për vendin tonë. BE ka hezituar që t’i trajtojë të ndara në procesin e integrimit, të dy vendet e Ballkanin Perëndimore, më argumentin se do të ishte më mirë për stabilitetin rajonal nëse dy fqinjët mund të përparonin së bashku.

Ndryshe nga konferencat e mëparshme, Shqipëria brenda dy viteve të fundit, arriti të mposhtte skepticizmin e disa vendeve anëtare të cilët konsideronin se Shqipëria nuk përmbushte kushtet për hapjen e negociatave të anëtarësimit. Në samitin e 23 dhe 24 qershorit, liderët e 27 vendeve anëtare të BE-së do të marrin këtë javë në konsideratë edhe aplikimet për statusin e vendit kandidat të Ukrainës, Moldavisë dhe Gjeorgjisë.