Këngëtari shqiptar, Ermal Meta, që u votua nga publiku dhe kaloi në finalen e Festivalit të 66 të Sanremos, në kategorinë e “këngëtarëve të rinj”, përmes një statusi në Twitter falendëroi të gjithë shqiptarët.

Kënga autobiografike “Odio Le Favole”, “I Urrej përrallat”, e 34 – vjeçarit nga Fieri, mori 59 % të votave të publikut.

Së bashku me 20 – vjeçaren Kiara dello Jakovo, ata do të përballen të premten me talentet e rinj, që do të përzgjidhen mbremjën e së enjtes.

Ermal Meta është përpjekur t’i shpjegojë publikut se në të vërtetë nuk i urren përrallat, por se realiteti dhe jeta janë shumë herë më interesante se çdo përrallëz dhe se stuhitë e së djeshmes – siç thotë ai, sot, nuk janë veçse një puhizë e lehtë…

Emri i Ermal Metës nuk është i panjohur për skenën e magjishme të Aristonit në Sanremo.

Ai e nisi karrierën si këngëtar me grupin “La Fame di Camilla”, me të cilin mori pjesë në Sanremo në vitin 2010 dhe si autor i teksteve të këngëve për emrat më të njohur të muzikës italiane si: Patty Pravo, Francesko Renga, Ema Marrone, Annalisa, Clementino etj.

Pas Elsa Lilës, që u ngjit në skenën e Teatrit Ariston në vitin 2003, Ermal Meta është shqiptari i dytë, pjesëmarrës në Festivalin Sanremos.