Për të hyrë në SHBA pa vizë, tani duhet të tregosh letra kredenciale edhe në rrjetet sociale, siç e shpjegon “Politico”.

Bëni kujdes për ato që postoni në rrjetet sociale, mund t’ju kushtojnë hyrjen në territorin amerikan. Siç trego Politico, një kërkesë “opsionale” është shfaqur në formularët elektronikë për autorizimin e udhëtimit ESTA (Electronic System for Travel Authorization). Këto formularë duhet të mbushen nga shtetasit e 38 vendeve për të cilët nuk është detyrim pajisja me vizë në rast udhëtimi turistik prej më pak se 90 ditë në SHBA.

Kjo kërkesë fakultative duhet të mundësojë mbledhjen e “informacioneve që lidhen me praninë tuaj në linjë”, ajo propozon pra të japë kredencialet tuaja në rrjetet sociale: Facebook, Twitter, LinkedIn, Instagram apo edhe Snapchat. Emri i përdoruesit do t’u mundësojë pra doganave amerikane të kenë akses në informacionet publike që përmbajnë këto profile. Sipas shërbimit të doganave dhe të mbrojtjes së kufijve amerikan,  i cituar nga Politico, bëhet fjalë për “identifikimin e një kërcënimi të mundshëm”, por mos-mbushja e kësaj rubrike nuk duhet të pengojë hyrjen në SHBA.

Kritika të shumta

Por ky grumbullim informacionesh shtesë ka shkaktuar kritika të shumta. “Ka shumë pak rregulla për mënyrën se si këto informacione janë grumbulluar, ruajtur dhe shpërndarë në agjencitë e tjera dhe nuk ekziston asnjë rekomandim që do të mundësonte kufizimin e përdorimit të këtyre informacioneve nga ana e qeverisë”, shpjegon Michael W. Macleod-Ball, drejtori i degës së Uashingtonit të Bashkimit amerikan për të drejtat civile. Internet Association, që përfaqëson Facebook-un, Twitter-in apo edhe Google-in, ka dhënë gjithashtu alarmin për rreziqet për lirinë e shprehjes dhe të drejtën e jetës private.

/Veritas.com.al/