AMSTERDAM– Holanda mbështet fort Shqipërinë në procesin e integrimit në Bashkimin Europian dhe për të treguar, kryeministri Martk Rutte tha se dy vendet po planifikojnë që të kenë një nismë të përbashkët anëtarësimin në familjen Europiane.

Nga Amsterdami, në konferencën e përbashkët për mediat, Rutte doli hapur pro ‘Open Balkan’, duke e cilësuar si një nismë tepër pozitive, që përshpejton procesin e integrimit për Shqipërinë.

“Kjo nismë është pozitive (…) kjo përshpejton edhe anëtarësimit. (…)Duam të kemi një nismë të përbashkët Shqipëri-Holandë sesi ta drejtojmë procesin e integrimit në BE”, tha Rutte.

Rutte u shpreh optimist se Maqedonia e Veriut do ta pranojë propozimin francez dhe për rrjedhojë nuk do të jetë e nevojshme ndarja me Shqipërinë në rrugëtimin e integrimit. Megjithtë, nëse një gjë e tillë nuk do të ndodhë, pra Maqedonia ta refuzojë si propozim, atëherë Rutte theksoi se Shqipëria do të ketë një mbështetje më të madhe nga vendet Europiane që ta vazhdojë rrugën drejt BE-së, e vetme.

“Nëse Maqedonia nuk do e pranojë propozimin francez, Shqipëria do të ketë më tepër mbështetje nga kolegët që ta vazhdojë e vetme rrugën, por shpresoj që të mos jetë e nevojshme”, tha Rutte.

Kësaj here, Rama, pati një gjuhë më të zbutur ndaj BE-së, duke thënë se ka një dashuri të madhe ndaj saj, por e ka kuptuar se është një dashuri e ashpër. Ai tha se Shqipëria është me këmbë në tokë dhe nuk kërkon menjëherë integrimin në Be-së, por çeljen e bisedimeve, pasi është e vetëdijshme për problemet që ka.

“Nëse nuk do kishim probleme me korrupsionin, tani do thoshim që ne duhet të jemi në BE. Ka ende shumë për t’u bërë”, tha Rama.

Kryeministri Rama ndodhet Holandë, në vijim të turit që ai ka ndërmarrë në qytetet kryesore evropiane , për të biseduar rreth çështjes së integrimit, pengesat që Shqipëria po has në procesin e hapjes së negociatave. Pas konferencës për shtyp, vizita, e cila përkon edhe me ditëlindjen e kreut të qeverisë shqiptare, do të mbyllet me një darkë.