Që nga Çadra e Lirisë, mes protestuesve, kryetari i Opozitës Lulzm Basha ka folur me referenca historike ndaj qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama.

Zoti Basha ka marrë në “dorë” një betim të fundit të bërë nga kryeministri Rama, ku ka thënë se “me gjithë anomalitë, unë do t’u shkoj deri në fund anomalive”. Deklarata e kryeministrit është bërë në një prononcim të tij të lidhur me protestën qytetare të udhëhequr nga opozita.

Por pas kësaj, kryetari i Opozitës e ka ngritur më shumë entuziazmin e protestuesve duke bërë  deklaratën sfidante ndaj kryeministrit se edhe Musolini (Duçja) i shkoi deri në fund zullumit dhe “si përfundoi”.

Është e njohur historia e jetës dhe vdekjes së liderit Fashist Italian. Vdekja e Benito Mussolinit, diktatorit fashist Italian, ndodhi më 28 Prill 1945, ditët e fundit të Luftës së Dytë Botërore në Europë. Ai u ekzekutua nga komunistët italian në një fshat të vogël të Giulino di Mezzegra në veri të Italisë. Versioni “zyrtar” i ngjarjes është se Musolini ishte qëlluar nga Walter Audisio, një partizan komunist që përdorte emër lufte si “Colonel Valerio”. Sidoqoftë, që nga fundi i Luftës, rrethanat e vdekjes së Musolinit  dhe identiteti i vrasësit, janë bërë subjekt i një konfuzioni të vazhdueshëm, subjekt debatesh dhe kundërshtimesh në Itali.

/Veritas.com.al/