Dhjetë ditë pasi Gjykata e Tiranës i dha të drejtë Komisionit të Rithemelimit të Sali Berishës të drejtojë Partinë Demokratike duke njohur ndryshimet në Statut më 11 dhjetor, PD ankimon vendimin e gjyqtarit Agron Zhukri. Vendimi është firmosur nga Enkelejd Alibeaj në cilësinë e nënkryetarit të partisë.

PD kërkon prishjen e vendimit që i jep drejtimin e partisë Grupit të Rithemelimit si dhe pushim ose kthimin në hetim me trupë tjetër gjykuese.

Kujtojmë se pas vendimit, PD e kallëzoi në SPAK gjyqtarin Agron Zhukri për shpërdorim detyre, i cili njohu statutin e Berishës të Kuvendit të 11 dhjetorit duke zhbërë atë të Bashës të 17 korrikut që ishte regjistruar pak ditë më herët. Sipas shkresës së dorëzuar në SPAK nga Gazmend Bardhi , gjyqtari Agron Zhukri shkeli vendimin e vet për të pezulluar shqyrtimin e çështjes derisa të përfundonte gjykimi tjetër për kërkesën e PD për ndryshimet statutore.

Gjyqtari Agron Zhukri që njohu statutin e Berishës e ka marrë këtë vendim në kushtet e konfliktit të interesit. Ka qenë vetë gjyqtari Zhukri i cili vetëm pak ditë pasi u përcaktua nga shorti që të shqyrtonte çështjen dha dorëheqjen nga çështja, me argumentin se nuk i takonte të merrej me këtë çështje. Ai ka shpjeguar se më parë bashkëshortja e tij ka punuar për ish-kryeministrin Sali Berisha. Gjyqtari madje ka shprehur se edhe në 2018 kishte bërë të njëjtën gjë duke dhënë dorëheqjes nga çështja Rama-Berisha. Por megjithatë në një vendim të mëpasshëm Gjykata e Tiranës nuk ia pranoi kërkesën për dorëheqje.

ne perditesim…