Kryeministri Edi Rama përmes një postimi në Twitter, ka kërkuar ndjesë dhe është tërhequr nga qëndrimi mbi thirrjen që dje i bëri policisë, që pas orarit të punës të dal dhe të mbledh vota për PS-në.

Një ditë pas debatit të krijuar lidhur me deklaratën e tij për policinë e shtetit, Rama thotë se “gabimi mbetet i imi”. “Ndjesë për zhurmën e krijuar nga thirrja ime për punonjësit e Policisë!S’ishte aspak qëllimi im çka thonë keqdashësit,por gabimi mbetet imi”,- shkruan kryeministri Rama.

Tërheqja e Ramës vjen pas qëndrimit të fortë të LSI-së, PD-së dhe Ministrisë së Brendshme. Vetë Ministri në një konferencë të jashtëzakonshme mbrëmjen e djeshme, dënoi thirrjen e Ramës, ku u shpreh se: “1-5 vie burg për policët që marrin pjesë në fushatë”,- tha ministri Dritan Demiraj.

Nga takimi me banorë të Kuçovës, Rama i bëri thirrje policisë që jashtë orarit të punës të angazhohet për t’i siguruar sa më shumë vota PS-së.

“Thirrje policisë, në momentin që lënë uniformën, pas pune të përkushtohen për të marrë sa më shumë vota për PS. Të mos lejojmë rikthimin e hijes së turpit mbi uniformën blu, që ne e kemi pastruar dhe lartësuar dhe bashkë në 4 vite ta bëjmë Policinë e Shtetit të jetë në mesataren e policisë së BE”, deklaroi Rama.

Veritas.com.al/