Xhevahir Lita

Xhevahir Lita, prokuror në qarkun e Kukësit është arrestuar sot nga policia në kuadër të një megaoperacioni që po zhvillohet në Tiranë, Shkodër e Kukës.

Mësohet se akuzat për të arrestuarit nga operacioni janë për korrupsion, shpërdorim detyre si dhe grup i strukturuar kriminal, por nuk dihen ende detaje të hollësishme.

Në pranga kanë rënë ish-drejtuesi i Operacionales, Oltion Bistri, i shkarkuar nga detyra vetëm pak ditë më parë, biznesmeni Pëllumb Gjoka dhe shoqëruesi i tij Edmond Preka.

Mes të arrestuarve po ashtu është edhe Astmer Bilali, i arrestuar në 2018-n si pjesë e grupit “Bajri” në Shkodër.

Në pranga raportohet të ketë rënë edhe Ardit Hasanbegaj, ish-shef për Krimet në Berat, i përjashtuar nga radhët e policisë një vit më parë, pas zbulimit të serave me kanabis në fshatin Drenovicë të Beratit.

Janë të paktën 15 urdhërarreste të lëshuara nga Prokuroria e Posaçme. Akuzat janë disa, mes të cilave organizatë kriminale, grup i strukturuar kriminal, kryerja e veprave penale në organizata kriminale, shpërdorim detyre, korrupsion, e deri te vrasje.