Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja ka komentuar vendimin e gjykatës së Strasburgut për 21 janarin, ku katër persona mbetën të vrarë nga plumbat e shtetit. Manja tha për gazetarët se tashmë me atë vendim të Strasburgut, 21 janari është një kapitull i hapur dhe se autoritetet shqiptare duhet të kenë një përgjigje të qartë.
“Më duhet të them që vendimi i Strasburgut dhe pse i vonuar pas 12 vitesh është një vendim i mirë, konfirmoi qëndrimet tona me 21 janarin, është konsideruar shkelje e nenit 2 të konventës. Autoritetet kanë detyrimin për të respektuar vendimin e Strasburgut. 21 janari kapitull i hapur, duhet të ketë përgjigje të qartë të autoriteteve shqiptare për 21 janarin. Strasburgu ka thënë 21 janari nuk është hetuar në gjithë dimensionin si krim shtetëror”, tha Manja.
Sa i takon çështjes së Belerit, Manja tha se nuk beson që Greqia do të bëhet pengesë për integrimin e Shqipërisë në BE.
“Më duhet të pohoj qëndrimin, Beleri është çështje e drejtësisë. Greqia ka qëllimet e veta, por kjo është një çështje e drejtësisë. Nuk besoj se Greqia do bëhet pengesë për integrimin e Shqipërisë në BE”, tha Manja.
Gjykata e Strasburgut në vendimin për Aleks Nikën, thotë se ka dy shkelje në këtë çështje: Vrasja dhe më pas moszbardhja e vrasjes! Në vendimin e kësaj gjykate theksohet se shteti ka përgjegjësi për vrasjen e Aleks Nikës, ndërsa fajtori duhet të dënohet.