Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka dekretuar Avdullah Hotin e LDK-së për kryeministër të Kosovës.
Sipas dekretit të nënshkruar nga presidenti, Hoti i propozohet Kuvendit të Kosovës kandidat për kryeministër për të formuar Qeverinë e Kosovës.
“Kandidati nga pika 1 e këtij Dekreti, jo më vonë se 15 ditë pas emërimit, i paraqet Qeverisë para Kuvendit të Kosovës dhe kërkon miratimin e Kuvendit”, thuhet në dekret.
Ai ka thënë se LDK-ja i ka garantuar se e ka siguruar shumicën parlamentare, të mjaftueshme për të formuar Qeverinë e re.
“Siç edhe jeni të informuar edhe nga konsultimi që zhvillova të mërkurën me liderët e të gjitha partive parlamentare, që përfaqësojnë vullnetin e zgjedhjeve të 6 tetorit. Të gjitha këto parti, vlerësojnë që Kosova duhet të ketë qeveri të re, me përjashtim të një partie politike. Prandaj, pas letrave që i kam drejtuar kryetarit të LDK-së, praktikë e mëhershme drejtuar edhe partisë që ishte e para në zgjedhjet e 6 tetorit, sot kam marrë një letër nga kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, përmes së cilës, ai konfirmon se mbështet të gjitha kriteret mbizotëruese për krijimin e qeverisë së re duke përfshirë edhe kriterin e sigurimit të shumicës parlamentare. Në përputhje me këtë letër, sapo kam dekretuar Avdullah Hotin për kryeministër”, ka thënë Thaçi.