Nga Ardit Rada

Teksa gjysmat e kutive të 25 Prillit janë numëruar, duket se Edi Rama do ta përmbysë historinë e qeverisjeve në vend. Ajo fjala e se ‘nuk të lë Amerika më shumë se dy mandate’ po provohet se nuk paska ardhur nga matanë kontinentit, por ishte një shpikje shqiptare. Ditët në vijim, edhe pse ndoshta me një fitore se e Piros, PS pritet të bëhet partia e parë në vend që drejton për tri mandate me radhë. E ndodhur mes dyshimit se qeverisja e konsumon një mazhorancë të gjatë, tashmë ëshë në dorën e kësaj të fundit se ç’do të bëjë me të gjithë pushtete që do të vijojë t’i ketë edhe për katër vite. Fushata elektorale e PS u bazua kryesisht në arritjet personale të Edi Ramës, ku ministrat dolën në pah të dytë. Shumë prej tyre madje, as kandidatë për deputetë.

Fushata iu besua rikthimit te trëndafili dhe te baza në çdo qendër votimi. Kjo skemë rezulton sot të ketë qenë më e mira për PS, për të maksimalizuar votat. Nga ana tjetër, përballë Edi Ramës u mësuam të shohim një rival që drejtonte një fushatë të shkëputur. Lulzim Basha prezantoi programin e tij, i qëndroi deri në fund me fjalë premtimeve se do të shpërndante para, por u penalizua sepse nuk u përfshi kurrë në debatin politik të ditës Rama-Meta, duke dalë kështu edhe me dëshirën e tij në plan të tretë.

Sot, pas një fushatë të çuditshme prej pandemisë, populli duket se e ka dhënë verdiktin duke i besuar ofertës së Ramës. Ai ngarkohet tashmë me detyrën që ta ngarkojë këtë ofertë dhe besim. Në kushtet kur një mandat i tretë rrezikon t’i shtyjë politikanët drejt vetëbesimit dhe arrogancës, Edi Rama duhet të kuptojë se kontratën tashmë e ka me qytetarët dhe jo me pushtetarët, apo bajraktarët lokalë që do të rrahin gjoksin për fitoren kur në fakt fituesi ka një emër dhe një fytyrë që e vuri në ballë të fushatës. Mbi të gjitha, Rama ka përgjegjësinë të ndajë shtetin nga pushteti. Shteti është mekanizmi që lëviz vendin. Pushteti është ai që e drejton.

Ndoshta, qeverisja e re duhet të jetë më gjithëpërfshirëse, larg militantizmit dhe më pranë teknicienëve. Para PS ndodhen ende pengesat e tërmetit dhe Covid, që do të kërkonin një dorë të mirë në krye të menaxhimit. Mandati i tretë nuk duhet parë vetëm si një luks për Partinë Socialiste, por edhe një përgjegjësi e madhe për të justifikuar çfarë ka premtuar.