Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi në një komunikim me gazetarët lidhur me zgjedhjet e 11 Majit është shprehur se KQZ ka komunikuar me përfaqësuesit e partive lidhur me propozimet për anëtarët e KZAZ.

Celibashi ndër të tjera është shprehur se i është kërkuar Kuvendit që të miratojë buxhetin për partitë politike që do të marrin pjesë në zgjedhje.

Ilirjan Celibashi: Kemi komunikuar me përfaqësues të katër partive politike për të sjelle në KQZ propozimet përkatëse për anëtarë të KZAZ dhe akoma deri sot në këto momente që flasim nuk ka ndonjë propozim të paraqitur nga ndonjë prej partive politike, por jemi në proces komunikimi me ta. Kemi përfunduar procesin e trajnimit të trajnerëve të cilët do të angazhohen me trajnimin e të gjithë administratës zgjedhore dhe të gjithë atyre që do të angazhohen me procesin zgjedhor përfshirë këtu edhe operatorët e identifikimit elektronik që janë edhe ata targetgrup i trajnimit prej këtyre trajnerëve. I kemi kërkuar Kuvendit që sa më parë të miratojë buxhetin për partitë politike që do të marrin pjesë në zgjedhje dhe me dallim të qartë nga herët e tjera ky buxhet do t’i vihet në dispozicion subjekteve zgjedhore shumë para fillimit të fushatës, pasi jemi dëshmitarë që në zgjedhjet e kaluara ky buxhet i është vënë në dispozicion shumë pak ditë para datës së zgjedhjeve, në ndonjë rast edhe kur kishte filluar fushata zgjedhore.

Ndërkohë sa i takon votës së diasporës Celibashi ka bërë një përmbledhje me të gjitha rezultatet deri tani të numrit të kërkesave dhe jo vetëm.

Ilirjan Celibashi: Sa i përket votimit nga jashtë aty kemi të dhënat më të fundit në lidhje me procesin e regjistrimit të votuesve nga jashtë. Kemi shtuar disa të dhëna në dashbordin që është publik për të gjithë. Janë 116 190 që kanë bërë kërkesë pra zgjedhës unik, jo kërkesa. Pra ky është numri i atyre që kanë paraqitur kërkesë. 140 796 është numri i kërkesave ku një zgjedhës ka bërë më shumë se një kërkesë, ose kanë aplikuar më shumë se dy herë. Në PEER. Janë 86 570 zgjedhës që u është miratuar kërkesa për të qenë në listën e zgjedhësve të votuesve nga jashtë. Ndërsa zgjedhës që u është refuzuar kërkesa numri i tyre është 25 401. Shifra prej 49 959 është numri i kërkesave të refuzuara, pra aty përfshihet edhe rastet ëse një zgjedhësi i është refuzuar më shumë se një herë kërkesa. Rastet kur zgjedhës kanë kërkuar të jenë në listë dhe u është refuzuar kjo kërkesë numri i tyre është 25 401, pra gati 50% e atyre që duken e numrit 49 959 që nga jo pake kanë konsideruar si numër të refuzimeve, nuk është ky numër.

Gjithsesi kjo formë e dashbordit me këto të dhëna do të jetë nga sot publike dhe do të ndihmojë këdo për të interpretuar në mënyrë realiste dhe të drejtë çdo shifër që ka të bëjë me votimin nga jashtë. Shtetet me më shumë aplikime janë Italia, Greqia dhe Gjermania respektivisht me 37% Italia,  27% Greqia dhe 11.9% Gjermania.

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *