Nga janari deri në tetor Aeroporti i Rinasit ka përpunuar një numër të lartë pasagjerësh dhe turistësh, duke u kthyer kështu në portën më të madhe të hyrje-daljeve në Shqipëri.

Sipas të dhënave në dhjetë muajt e fundit rezulton se në Rinas janë përpunuar 5.4 milionë pasagjerë në hyrje dhe dalje të vendit tonë.

Gazetarja e ABC News, Gerta Vasku thotë se edhe pse është tetor dhe temperaturat kanë pësuar rënie, të shumtë janë turistët që vijojnë të vijnë në vendin tonë.

“Nga 1 janari deri më 3 tetor, janë përpunuar 5.4 milionë pasagjerë, që kanë frekuentuar Aeroportin Rinasit për të hyrë dhe për të dalë nga vendi ynë. Këto shifra vijnë në një kohë, kur vendi ynë ka pasur një bum të madh turistësh këtë vit. Ajo që vihet re në terminalin e Rinasit është se ka një fluks të lartë pasagjerësh në hyrje dhe dalje të Shqipërisë”, raportoi gazetarja e Abc News, nga Aeroporti i Rinasit.

Kryeministri Edi Rama tha se nëse do vijojë ky trend turistësh, parashikohet se deri në dhjetor numri i turistëve që kanë hyrë në Shqipëri nga të gjitha pikat kufitare mund të shkojë në 10 milionë/  abcnews.al