Agjencia Evropiane e Hapësirës njoftoi të enjten se ka pezulluar misionin ruso-evropian për në Mars për shkak të pushtimit rus të Ukrainës.

“Ne shprehim keqardhjen e thellë për viktimat dhe pasojat tragjike të agresionit ndaj Ukrainës. Duke njohur ndikimin në eksplorimin shkencor të hapësirës, ESA është plotësisht në përputhje me sanksionet e vendosura ndaj Rusisë, “tha ESA në një deklaratë.

Gjatë takimit të tij në Paris, këshilli qeverisës i ESA “pranoi pamundësinë aktuale të kryerjes së bashkëpunimit të vazhdueshëm me (agjencinë hapësinore të Rusisë) Roscosmos në misionin ExoMars me një nisje në vitin 2022 dhe mandatoi Drejtorin e Përgjithshëm të ESA që të ndërmarrë hapat e duhur për të pezulluar aktivitetet e bashkëpunimit në përputhje me rrethanat aktuale”, thuhet në të.

Pavarësisht pezullimit të misionit në Mars, ESA tha se programi i Stacionit Ndërkombëtar Hapësinor “vazhdon të funksionojë nominalisht. Qëllimi kryesor është të vazhdojë operacionet e sigurta të ISS, duke përfshirë ruajtjen e sigurisë së ekuipazhit.”

Në lidhje të situatës në Ukrainë, drejtori i përgjithshëm i agjencisë do të thërrasë një sesion të jashtëzakonshëm të këshillit qeverisës të ESA në javët e ardhshme “për të paraqitur propozime specifike për vendim nga Shtetet Anëtare”, thuhet në deklaratë.