Kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka në një lidhje të drejtpërdrejtë në studion e “Tonight Ilva Tare” në ‘Ora tha se nuk pranon të kandidojë në siglën e Partisë Demokratike si deputet. Ai shtoi se pas zgjedhjeve është i hapur të bëjë ‘koalicion me Partinë Socialiste’.
Duka thekson se marrëveshja Rama-Basha do të dëmtojë partitë e vogla. Nëse do të dalë më vete, pas zgjedhjeve nuk do të ketë asnjë detyrim për të qëndruar në koalicion me PD, por mund të ketë dhe marrëveshje me PS.
Pjesë nga deklarata:
“Duhen shumë më tepër numra për të nxjerrë një mandat. Jemi në diskutime me strukturat dhe deri nesër mendoj do të vendosim dhe nëse do të vendosim deri pasnesër do të regjistrohemi në KQZ”.
Intervista:
Tare: Do dilni më vete?
Duka: Të mërkurën do them si do të hyjmë në zgjedhje. Është më tepër ideja për të hyrë në zgjedhje vetëm. Edhe strukturat aq sa kemi, mendojnë se duhet të provohemi si PAA. Prevalon më tepër kjo mundësi.
Tare: Çfarë negocioni me PD-në?
Duka: Nëse do të bëhet fjalë për emrin tim që të jem në listë, nuk e pranoj sepse më duket sikur i fus në grackë gjithë ata që kanë ardhur pas meje, jo vetëm pas meje por pas asaj kauze. Merremi me zhvillimin rural, me mjedisin. Nëse unë do të pranoja të isha në listën e PD-së i vetëm, e para do të ndjehen të tradhtuar ata që kanë kaq kohë që na vijnë mbrapa. E dyta, natyrisht do isha besnik stemës së PD-së dhe nëse dal më vete duke marrë një ose dy mandate pastaj do të vendosim se me kë do të bëjmë koalicion.
Tare: PD ju tradhtoi me atë marrëveshje me PS-së?
Duka: Për mua shyqyr që u arrit marrëveshja. Nuk besoj se u tradhtuam, por ishte një marrëveshje e sforcuar. Për z. Rama ishte e pa negociueshme data. Ne ishim viktimat dhe ne duhet ta marrim me gaz këtë punë.
Tare: Ju thatë se nëse dilni vetëm në zgjedhje nuk keni pse të jeni në koalicion me PD-në…
Duka: Absolutisht nuk kam asnjë lloj detyrimi.
Tare: Do të thotë të se do të bëni koalicion me PS-në?
Duka: Pa dyshim! Me atë qe pranon të zgjidhë problemet që kemi në programin tonë, sidomos subvencionet direkt, ne mund të bëjmë koalicion.
/Veritas.com.al/