Departamenti i Shtetit hodhi sot poshtë akuzat e bëra në Shqipëri nga ish kryeministri Sali Berisha ndaj ambasadores Yuri Kim. Në përgjigje të pyetjes së Zërit të Amerikës lidhur me akuzat e bëra nga ish kryeminstri Sali Berisha ndaj Ambasadores Yuri Kim se ajo po sillet si guvernatore në Shqipëri dhe se mbështet kryeministrin Edi Rama, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Ned Price tha se “Uashingtoni është i shqetësuar nga sulmet e pajustifikuara ndaj ambasadores tonë në Tiranë. Këto sulme të shëmtuara nuk përfaqësojnë popullin shqiptar.’
‘Siç e ka udhëzuar Uashingtoni’, thekson zëdhënësi Price, ‘ambasadorja Kim ka shpjeguar dhe zbatuar qartë politikat e Shteteve të Bashkuara, përfshirë vendosmërinë e Presidentit Biden për të mbajtur përgjegjës ata persona që përfshihen në korrupsion, ose minojnë demokracinë.’
Shtetet e Bashkuara’, thekson më tej zëdhënësi, ‘vlerësojnë marrëdhëniet me popullin shqiptar dhe vitin e ardhshëm do të kremtojmë 100 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve mes dy vendeve. Marrëdhëniet tona, përfundon zëdhënësi, i mbijetuan komunizmit dhe diktaturës për shkak të angazhimit të përbashkët për demokraci dhe respektit të ndërsjellë’.
Një ditë më parë, Sali Berisha i shpallur ‘non grata’ nga SHBA, mësyu në selinë e PD-së, në të njëjtën kohë që kryedemokrati Basha mbante mbledhje. Nga aty, Berisha i cili kryesoi grupin e Rithemelimit, tha se kur të marrë drejtimin e PD-së do të ketë të mira me SHBA-në, por vetëm me ambasador, jo me guvernator, duke e cilësuar Yuri Kim si mbështetësen e qeverisë.