Sapo ka përfunduar takimi mes ambasadorit të BE-së Luiggi Sorec dhe krerëve të partive të vogla, aleatë të Partisë Demokratike, Fatmir Mehdiu i PR ka shprehur opinionin e liderëve të pesë partive.

Në takim merrnin pjesë krerët e LZHK, PAA, PBDNJ, PDK, PR, ndërsa në përfundim të tij kreu i PR-së, Fatmir Mediu u shpreh se do t’i kërkojnë një takim presidentit, Ilir Meta. Teksa LSI e Metës dhe PD e Bashës ishin përfshirë në një ‘revolucion’ për bllokimin e rrugëve të atdheut, aleatët i zbutën tonet dhe kërkuan ‘tryezë’

Sipas zotit Mehdiu, Meta duhet të thërrasë një tryezë diskutimi ku të marrin pjesë opozita dhe maxhoranca.

“Ky është një takim i thirrur nga ne sepse është e nevojshme të gjejmë një zgjidhje që t’u shërbejë interesave të Shqipërisë. Secili duhet të luajë rolin e vet. Presidenti duhet të thërrasë tryezën e partive politike për të parë nëse janë plotësuar kushtet për zgjedhje të lira e të ndershme.

Me kontributin e të gjitha palëve politike ne të arrijmë të sigurojmë zgjedhje të lira e të ndershme dhe përfaqësimin e të gjitha subjekteve politike. Çdo lojë tjetër do të ishte shkatërruese për vendin dhe ne mendojmë që është përgjegjësi jona që të negociojmë me të gjitha palët dhe institucionet që duhet të mundësojnë këtë dialog”, tha Mediu.

Takimi i tyre me Sorecën vjen pas firmosje së marrëveshjes me dhjetë pika me Partinë Demokratike, për të mos lejuar më që në vend të mbahen ‘zgjedhje farsë’.

Veritas.com.al/