Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd, Christopher Hill, ka thënë se përshtypja e tij pas takimit të lartë në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, ishte se “ka pasur njëfarë progresi për Serbinë”.
Në një prononcim për agjencinë serbe të lajmeve “Tanjug”, ka deklaruar se negociatat e së enjtes në mes të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ishin “vërtet të vështira”, por se Serbia i kishte “bërë detyrat e shtëpisë dhe ishte përgatitur mirë”.
Diplomati amerikan shpreson që procesi i dialogut të vazhdojë, dhe se Serbia me pjesëmarrjen në të mund të vazhdojë të punojë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Takimi i nëntë ndërmjet Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiç-it nuk prodhoi ndonjë rezultat.
Sipas Shefit të Diplomacisë së BE-së ishte Kurti ai që nuk e pranoi propozimin e BE-së për zbatimin e njëkohshëm të obligimeve që dalin nga kjo marrëveshje, ndërsa Vuçiç-i e pranoi.
Kurti dhe Vuçiç, në konferenca të ndara për media, akuzuan njëri-tjetrin për mungesën e rezultateve nga takimi.
Kurti tha se “kushtëzimi i Serbisë” për formimin e Asociacionit “është shndërruar në qëndrim të emisarëve të BE-së”.
Sipas Vuçiç-it, Kurti, thjesht, “i shmanget formimit të Asociacionit. Ky është thelbi i gjithçkaje”.