Ambasadori i Shteteve të bashkuara merikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë shumë të shqetësuara me faktin se Qeveria e Kosovës nuk është duke ndërmarrë hapa konkret për de-eskalim të situatës në pjesën veriore.

Duke folur në emisionin Rubikon të Klan Kosovës, Hovenier, tha se kryeministri Albin Kurti, duhet të nisë zbatimin e planit trepikësh të propozuar nga Bashkimi Evropian për dalje nga situata e tensionuar në veri.

Ky plan sipas ambasadorit Hovenier është ajo çfarë përveç SHBA-së, kërkon BE-ja si dhe Mbretëria e Bashkuar.

“Miqtë e Kosovës, vendet dhe institucionet që më së shumti kanë luajtur rol në mbështetjen e Kosovës në këtë trajektore, të gjitha po kërkojnë nga Kosova, nga kjo qeveri që të ndërmerr disa veprime specifike dhe që të zbatojë planin trepikësh të BE-së”, tha Hovenier.