-Maxhoranca: Ka zgjidhje ligjore nëse bllokohen-
Të votuara nga Kuvendi dhe të përshëndetura nga përfaqësitë diplomatike të SHBA dhe BE, anëtaret e reja të Gjykatës Kushtetuese, që të marrin zyrtarisht detyrën e re do të duhet më parë të betohen përpara kreut të shtetit.
I njëjti përcaktim është parashikuar në Kushtetutë për të 9 anëtarët e kësaj gjykate, pavarësisht se përzgjidhen nga Presidenti, parlamenti apo Gjykata e Lartë.
Dhe kjo vlen dhe për rastet si ai i Arta Vorpsit, që u emërua automatikisht pas skadimit të afatit 30 ditor, edhe pse kreu i shtetit kishte kërkuar pezullim të procesit të zgjedhjes për t’u respektuar procedura, që sipas tij, ishte shkelur nga KED.
Në Kushtetutë nuk ka afat të përcaktuar se kur duhet të zhvillohet ceremonia e betimit, ndaj gjithçka varet nga vullneti i kreut të shtetit.
Deri tani asnjë nga anëtarët e reja të Gjykatës Kushtetuese nuk e ka bërë betimin. Kjo edhe për faktin se Presidenti ka qenë pjesëmarrës në Forumin e Paqes në Paris.
Megjithatë, Presidenca nuk pranoi të bënte komente e pyetur nga Tv Klan, nëse do të mbahej ceremonia e betimit.
Presidenti duhet ta zhvillojë procedurën e betimit, në të kundërt do të shkelë Kushtetutën.
Por sipas të njëjtave burime, nëse kjo do të ndodhë, maxhoranca po mendon për një zgjidhje tjetër ligjore.
VERITAS.COM.AL