Një cigare në ballkon rezultoi e fundit për 23-vjeçarin Gëzim Sinomati, i cili u vra në një atentat mafioz, mbrëmjen e kaluar, në qytetin e Vlorës, teksa u qëllua me snajper nga persona ende të paidentifikuar.

Pista kryesore që po heton policia është ajo e hakmarrjes, pasi babai i viktimës, Sokol Sinomati ishte pjesë e bandës së Gazmend Brakës i njohur si “Gaxhai”, në Vlorë në vitin 1997 dhe kishte nofkën “Buzëderri”.

I riu sapo ishte kthyer nga Belgjika dhe mbante emrin e xhaxhait, të vrarë në vitin e mbrapsht 1997.

Sokol Sinomati është i dënuar për një vrasje të ndodhur më 3 janar të vitit 2000, ku gjatë një tentative për të ekzekutuar Sokol Nuhon, qëlloi gabimisht Luigj Xhafën, kalimtar të rastit.

Ai është akuzuar për ngjarje të ndryshme kriminale, teksa dy vite më parë i vunë tritol makinës së vëllait të tij, Bernard Sinomati.

Një tjetër detaj që po heton policia për krimin e mbrëmjes së kaluar është se në lagjen “Hajro Çakërri”, në momentin e të shtënave nuk ka pasur drita. Nuk dihet nëse është rastësi apo e planifikuar nga autorët, teksa hetimet vijojnë.