Bajram Begaj, i cili mori sot detyrën si Presidenti i ri i Shqipërisë ka nisur rrugëtimin e tij me disa urime të rëndësishme nga Bashkimi Evropian dhe Shetet e Bashkuara të amerikës.

I pari që ka shprehur urime ndaj Begaj ishte presidenti i i Këshillit Evropian, Charles Michel. Me anë të një postimi, Michel shpreh urimin dhe thotë se me çeljen e negociatave, është moment emocionues për marrëdhëniet Shqipëri-BE ndaj pret të ndërtojnë të ardhmen e përbashkët.

“Urime për Bajram Begaj. Marrja e detyrës si President e Shqipërisë . Me hapjen e bisedimeve të anëtarësimit, jemi në një moment emocionues në marrëdhëniet BE-Shqipëri. Mezi presim të ndërtojmë së bashku të ardhmen tonë të përbashkët”, shkruan Michel.

Ndërsa pas betimit të tij si President e ka uruar Shefi i politikës së Jashtme në BE, Josep Borrell dhe Ambasadorja amerikane Yuri Kim.

Borell ka uruar Bajram Begajn për postin e presidentit të ri duke thënë se pret që të vazhdojnë të ecin para në rrugën e përbashkët.

“Urime Bajram Begajt për betimin si presidenti i Shqipërisë. Mandati juaj fillon pasi vendi ka arritur një moment historik në rrugën e tij drejt BE-së. Ne mezi presim të vazhdojmë të ecim përpara në rrugën tonë të përbashkët në BE. Së bashku ne jemi më të fortë”, shkruan Borell.

Ndërkoh Yuri Kim është shprehur se SHBA mezi po e pret bashkëpunimin e tyre.

“Urime Bajram Begajt për inaugurimin e tij si President i ri i Shqipërisë. Ne mezi presim të punojmë me Presidentin Begaj për thellimin e partneritetit të qëndrueshëm SHBA-Shqipëri, forcimin e demokracisë së Shqipërisë dhe mbrojtjen e paqes dhe sigurisë si aleatë të NATO-s”, ka shkruar Kim, e cila mungoi në ceremoninë e betimit.

Në ceremoninë e betimit në Kuvend, Presidenti i 8-të i Shqipërisë, Bajram Begaj tha se uniteti politik dhe njerëzor, siguria kombëtare, rrugëtimi drejt BE dhe roli i Shqipërisë në arenën ndërkombëtare janë prioritetet e tij në mandatin 5-vjeçar si kreu i ri i shtetit. Begaj shtoi se po e merr këtë përgjegjësi në një moment historik dhe misionin e ri që i është besuar do ta kryejë mbi palët e nuk do të qëndrojë neutral ndaj asnjërit që vendos interesat politike përpara interesit të Kombit.

Në postin e kreut të shtetit, Bajram Begaj zëvendëson Ilir Metën. Begaj mori besimin e shumicës së deputetëve në Kuvend për të qenë Presidenti i ri i Republikës së Shqipërisë.