Koment/ Kryetari i partisë demokratike po i vjen rrotull një marrëveshjeje të fshehtë me kryeministrin Rama, gjë që aleatët amerikanë nuk mund ta pranojnë. Aleatët po i kërkojnë opozitës, dhe gjithë politikës, dialog të hapur e transparent, në vend të marrëveshjeve të fshehta.

Me qëllim që të bëjë ‘nul’ kërkesën e aleatëve perëndimorë, Basha kërkon ‘zgjidhje krize’, por ‘pa ndërkombëtarët’ nënvizon ai duke nënkuptuar rolin e Shteteve të Bashkuara. Ai, siç tha në një takim në Shkodër, kërkon ‘rrugën e shkurtër’ për zgjidhjen e krizës, domethënë nga ai vetë te qeveria, në një marrëveshje që të tjerët të mos e kuptojnë.

Pas një takimi me kryetaren në largim të bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi, Lulzim Basha në një prononcim për mediat lideri i PD-së tha se zgjidhja për t’i dhënë fund krizës politike në vend janë vetë shqiptarët dhe ‘jo ndërkombëtarët’. Mes të tjerash Basha tha se shqiptarët duhet të marrin në dorë fatin e tyre, ndërsa shtoi se aksioni i PD dhe aleatëve opozitarë do të vazhdojë.

“As Edi Rama dhe qeveria nuk kanë përgjigje për vendin dhe as për Shkodrën. Vendi ndodhet në udhëtim delikat dhe kritik. Ndaj ne si opozitë, PD dhe aleatët, të bashkuar, kemi sot përgjegjësinë që t’i japim shqiptarëve zgjidhjen që e meritojnë.

…Do të vazhdojmë betejën deri në fund për të çliruar Shqipërinë nga politika e lidhur me krimin. Ky është qëllim që bashkon gjithë shqiptarët e ndershëm. … Rruga e zgjidhjes së kësaj krize të jetë sa më e mundshme dhe e shkurtër. Shkodra ka qenë dhe është simbol i pathyeshmërisë para të keqes’. Basha vazhdoi me tone më të forta se ‘S’ka zgjidhje nga jashtë!’.

‘Zgjidhja do të vijë nga brenda. Jashtë kemi pasur miq, por kjo krizë nuk zgjidhet duke bërë viktimë apo duke parë nga qielli. Zgjidhet duke marrë në dorë fatet tona”, tha Basha.

VERITAS.COM.AL/