Vetëm një ditë pasi Kuvendi Kombëtar i Sali Berishës shkarkoi Lulzim Bashën dhe caktoi një referendum ‘një anëtar, një votë’ për ta ratifikuar këtë vendim, nuk ka vonuar edhe ‘hakmarrja’ e kreut të PD-së, ndaj kryesisë ‘Berishiane’. Sot Lulzim Basha mblodhi Këshillin Kombëtar të Partisë Demokratike, 251 anëtarët e të cilit votuan për shkarkimin nga të gjitha funksionet në PD të grupit të Berishës.
Më argumentin se kanë cenuar rëndë interesin elektoral dhe politik të Partisë Demokratike, shkarkimi ka nisur nga kryetari i Këshillit Kombëtar Edi Paloka, anëtarëve të kryesisë, Flamur Nokës, Aldo Bumçit, Gent Strazimirit, Albana Vokshit, Oerd Bylykbashit si dhe sekretarëve Ervin Minarolli, Ivi Kaso, Belind Këlliçi e Ledina Mandia, ku pritet dhe zëvendësimi i tyre me emra të rinj.
Për shkarkimin nga të gjitha funksionet në PD të anëtarëve të kryesisë, sekretarëve si dhe kryetarit të Këshillit Kombëtar kanë votuar 257 anëtarë, prej tyre 251 kanë votuar pro shkarkimit, 4 kundër si dhe 2 vota janë shpallur të pavlefshme.
Sipas Bashës anëtarët kryesisë jo vetëm që nuk mbështetën 18 dhjetorin, por dolën hapur krah Sali Berishës të shpallur ‘Non Grata’ nga SHBA. Ndërkohë anëtarët e Këshillit Kombëtar kanë miratuar rezolutën e posaçme të propozuar nga kryetari Lulzim Basha, e cila ‘mandaton’ Lulzim Bashën që të mbrojë me forcë vlerat e Partisë Demokratike. Në rezolutë theksohet se Kuvendi i Mbledhur nga Berisha dje është nul, ndërsa shtohet se ai ka vepruar si Enver Hoxha, pasi ka themeluar një organizatë anti-amerikane.