Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden është takuar në Shtëpinë e Bardhë me kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni të cilët kanë diskutuar edhe për situatën në Ballkanin Perëndimor dhe tensionimin mes Kosovës dhe Serbisë.
Përmes një deklarate për media të lëshuar nga Shtëpia e Bardhë, Biden dhe Meloni, kanë riafirmuar angazhimin që Ballkani Perëndimor të ketë siguri, stabilitet dhe prosperitet.
“Shtetet e Bashkuara dhe Italia riafirmojnë angazhimin e tyre të përbashkët për sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin e Ballkanit Perëndimor dhe mbështetjen e tyre të gjatë për integrimin euroatlantik të rajonit.
Ata vendosën të përforcojnë koordinimin për të favorizuar shtensionimin dhe pajtimin dhe pranuan rolin vendimtar të QUINT-it. Shtetet e Bashkuara mirëpresin angazhimin e qeverisë italiane në Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë kontributin e forcave të armatosura italiane në misionet e KFOR-it, EULEX-it dhe EUFOR-it Althea”, thuhet në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë.