Bie Abazoviç, rrëzohet qeveria në Mal të Zi
Dritan Abazoviç nuk është më kryeministër i Malit të Zi.
Parlamenti malazez ka votuar pro mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë së tij.
Për shkarkimin e Qeverisë votuan 50 deputetë të pranishëm dhe një kundër. Parlamenti i Malit të Zi ka gjithsejtë 81 deputetë. Për rrëzimin e një qeverie duhen 41 ose më shumë.
50 deputetët ishin të Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS), Demokratëve, Socialdemokratëve (SDP), Partisë Liberale (LP), Partisë Boshnjake (BS), Bashkimit Demokratik të Shqiptarëve dhe “Mali i Zi i Bashkuar”.
Qeveria e tij do të funksionojë në mandat teknik deri në zgjedhjen e qeverisë së re.
Iniciativën për votëbesimin e Qeverisë e kanë dorëzuar paraprakisht 36 deputetë të Partisë Demokratike të Socialistëve, PS, Socialdemokratëve, Partisë Liberale dhe Bashkimit Demokratik të Shqiptarëve.
Në votim nuk morën pjesë deputetët e Frontit Demokratik, Partisë Popullore Socialiste dhe të koalicionit “E zeza mbi të bardhë”, si dhe deputeti i Demos, Miodrag Lekiç.
Iniciativa për mosbesimin ndaj qeverisë së Abazoviç-it është paraqitur nga 36 deputetë të DPS-së, Partisë Socialdemokrate, Partisë Liberale, Socialdemokratëve dhe disa partive të tjera, pak orë pasi Abazoviç nënshkroi Marrëveshjen/Kontratën Themelore me Patriarkun e Kishës Ortodokse Serbe.
Ky ishte mocioni i dytë i mosbesimit të vitit, pas rënies në shkurt të kabinetit të kryeministrit Zdravko Krivokapiç, i cili u mbështet nga Kisha Ortodokse Serbe.
Presidenti, Milo Gjukanoviç, tani do të duhet të emërojë një kryeministër të ri për të formuar një qeveri të re.
Ky vendim erdhi pasi qeveria e Malit të Zi miratoi draft-kontratën me Kishën Ortodokse Serbe, gjë për të cilën kjo qeveri nuk ka mandat dhe pajtueshmëri të plotë politike, dhe e cila ishte votuar për të shtyrë përpara agjendën evropiane të vendit.
DPS-ja, e cila ka 29 deputetë në parlamentin malazez (nga 81 sa janë gjithsej), doli me një qëndrim se qeveria e ka humbur mbështetjen e kësaj partie, duke çuar edhe në shkarkimin e kryeministrit.
Pash shkarkimit Abazoviç tha se ndjehet krenar dhe përgëzoi koalicionin e ri të Alekse Beçiç-it (kryetar i Mali i Zi Demokratik) dhe Milo Gjukanoviç-it.
Ai theksoi se shpreson që së shpejti të arrihet një marrëveshje.
“Nga sot situata është më e lehtë për ne – këtë vend do ta qeverisin ose kriminelët ose qytetarët. Ne jemi në anën e qytetarëve”, tha Abazoviç.
Abazoviç ka falënderuar ata që nuk e kanë përkrahur nismën.