Kryetari i PD, zoti Basha, sot ka mbledhur grupin e deputetëve që u zgjodh më 25 qershor dhe ka shkëmbyer pyetje e përgjigje se si do të bëjnë këto katër vjet:

Ja biseda e regjistruar:

Pyetje: Opozitë do të bëjmë duke përfshirë edhe LSI-në?

Basha:

Këdo që është gati të bëjë opozitë por jo pazar-opozitë. Opozita është e plotë. Nuk është më kohë të pjesshme, është e pandarë ndaj pushtetit, nuk është diku opozitë dhe diku pazar. Ndaj ftesa është për këdo që është gati të bëjë opozitën për të cilën ka kaq shumë nevojë ky vend. Opozitën dhe alternativën, Partia Demokratike i ka sot misionin e saj kryesor.

Pyetje: Kur do t’i tërhiqni ministrat?

Basha:

Ministrat po përfundojnë raportin dhe menjëherë pas kësaj më kanë informuar se kanë bërë gati dorëheqjen e tyre.

Pyetje:

Zoti Basha, po për reformën zgjedhje a vazhdon marrëveshja?

Basha:

Natyrisht që ne do të bëjmë çdo përpjekje që Shqipëria të ketë një sistem të drejtë zgjedhor e përfaqësues për qytetarët dhe të padhunueshëm nga bandat, nga milionat e drogës dhe përqindjet e tenderëve dhe koncesioneve korruptive siç ndodhi edhe njëherë në zgjedhjet e 25 Qershorit ku pamë Dibrën e 2016 në nivel makro.

Beteja për zgjedhjet e lira dhe të ndershme do të jetë një ndër beteja kryesore së bashku me betejën për një ndarje të drejtë territoriale që i përgjigjet interesave të qytetarëve dhe jo të politikës grabitqare dhe me reformat e tjera të rëndësishme për vendin.

Një gjë është e sigurt, opozita jonë do të jetë opozitë institucionale parlamentare por do të jetë po kështu opozitë aktive qytetare, e cila do të shtrihet në cdo hapësirë për të luftuar për të drejtat e qytetarëve.

Pyetje: Po një analizë për zgjedhjet kur do ta bëni, zoti Basha

Basha:

Analiza, ç’është e vërteta bëhet në dy nivele, jo në nivelin sovjetik, në nivelin e analizimit të fakteve: çfarë ka ndodhur kuti votimi për kuti votimi, çfarë përfaqëson kjo për qytetarët që banojnë në atë zonë dhe çfarë përfaqëson për përgjegjësitë dhe reflektimet e strukturës.

Partia Demokratike do të dalë përmes një reflektimi të thellë, me një organizim edhe më të fortë, edhe më gjithëpërfshirës, edhe më të hapur edhe më luftarak për opozitën që ka nevojë ky vend.

Ndaj ju ftoj të gjithë së bashku ta mbajmë vëmendjen tek ajo që ka më shumë nevojë Shqipëria sot, një opozitë reale, një opozitë e fortë, një opozitë të vërtetë për hallet dhe problemet e njerëzve për të rikthyer shpresën,  e cila edhe sot e kësaj dite po ja mbath nga sytë këmbët, duke shkaktuar një eksod në vazhdim të shqiptarëve.