Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken u largua nga baza e përbashkët Andreës për në Izrael mbreme, në mes të përpjekjeve të shtuara diplomatike për të përfunduar një marrëveshje qe do t’i jepte fund luftimeve midis Izraelit dhe Hamasit dhe do të lironte pengjet izraelite.

Blinken pritet të takohet me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu të hënën, teksa në nisje të javës pritet rifillimi në Doha i bisedimeve për armëpushim në Gaza. Këto bisedime janë të ndërmjetësuara nga SHBA, Katari dhe Egjipti.

Një deklaratë nga zyra e Netanjahut tha se ekipi negociator i Izraelit kishte shprehur “optimizëm të kujdesshëm” mbi mundësinë e avancimit të një marrëveshjeje “në përputhje me propozimin e përditësuar amerikan, duke përfshirë komponentë të pranueshëm për Izraelin.

Por një zyrtar i lartë i Hamasit hodhi poshtë optimizmin për një marrëveshje si “një iluzion”.

“Të thuash se po i afrohemi një marrëveshjeje është një iluzion. Ne nuk po përballemi me një marrëveshje apo negociata reale, por me imponim të diktateve amerikane”, tha për AFP anëtari i byrosë politike të Hamasit, Sami Abu Zuhri.

Presidenti i SHBA Joe Biden tha të premten (16 gusht), pas dy ditësh bisedimesh në Doha, se përpjekjet për të arritur një marrëveshje tani ishin në horizont.

Negociatat po zhvillohen nën hijen e një përshkallëzimi të frikshëm rajonal. Irani ka kërcënuar se do të hakmerret kundër Izraelit pas vrasjes së liderit të Hamasit Ismail Haniyeh në Teheran më 31 korrik.