Nga: Veritas.com.al/

Sot Partia demokratike kishte një ditë të ngarkuar me axhendë. Fillimisht takimi me aleatët e mundshëm për të parapritur një rrezik të mundshëm të manipulimit të zgjedhjeve të Qershorit. Pas kësaj, Partia Demokratike mblodhi grupin Parlamentar për të diskutar dhe vendosur po rreth kësaj çështjeje: Si të mbrohen zgjedhjet nga manipulimi.

Kundërvëniet e parathëna shumë kohë më parë ndaj kryetarit t PD Lulzim Basha nga deputetë dhe zyrtarë  të tjerë të lartë në PD, u manifestuan edhe sot në  mbledhjen e Grupit Parlamentar. Idesë së shprehur nga kryetari i PD, Basha, për bojkotimin e Kuvendit dhe të zgjedhjeve të qershorit, i janë përgjigjur në mënyra të ndryshme disa nga deputetët dhe zyrtarët e lartë.

Jozefina Topalli, ish nënkryetare e PD dhe ish kryetare e Kuvendit, si kundërshtare e përhershme e Lulzim Bashës, ka gjetur momentin që opsionin ndryshe prej tij ta shprehë duke e mbështetur në parime.

-Jo bojkotit në Kuvend-ka thënë zonja Topalli- Bojkoti na penalizon ne si PD.

Deputetja tjetër, Majlinda Bregu, ish ministre dhe bashkëthemeluese e KOP me Bashën, tani kontestuese e ideve të tij, e ka mbështetur idenë e zonjës Topalli mbi bojkotin, por duke i dhënë më shumë hapësirë diskutimi.

Zonja Bregu ka ironizuar diskutimin e Bashës që ka thënë se “kemi 22 parti aleate për në zgjedhje”. Ajo i ka dhënë një kundërpërgjigje se “Jo 22, por 52 parti të kemi, ne nuk bëjmë dot aksione politike bojkotuese”

-A mund të mbledhim njerëz në shesh? A mund të organizojmë protesta? Jo- ka thënë Bregu. Atëherë, sipas saj, ideja e bojkotit është e parealizueshme.

Genc Ruli, deputet, ish- ministër dhe një nga themeluesit kryesor të Partisë Demokratike, ka mbështetur idenë e një aksioni politik të dukshëm, me energji dhe me peshë. Ai ka thënë se PD duhet të bëhet promotor për shtyrjen e zgjedhjeve. “nuk jemi gati? Nuk i garantojmë zgjedhjet nga manipulimi… Atëherë mund t’i shtyjmë dhe kjo ia vlen të bëhet para rrezikut për manipulim”.

Para diskutimeve dhe opsioneve diverse në PD, është dashur të flasë zoti Sali Berisha, ish kryetar i PD dhe ish- kryeministër. Ai e ka ngritur peshën politike të diskutimit. Ka thënë se “Opozita duhet të përdorë gjithë potencialin e saj për të garantuar zgjedhje të lira e të ndershme.  Misioni i PD është t’u rikthejë qytetarëve besimin në institucionin e zgjedhjeve të ndershme”.

Megjithatë Partia demokratike, përmes dilemave, ka dalë pa një vendim të përcaktuar qartë. Është thënë në fund e njëjta frazë që është thënë mijëra herë: “Intensifikimin e luftës parlamentare në mbështetje të platformës së zgjedhjeve të lira”. Një frazë që nuk thotë gjë.

Por ajo çfarë bie në sy është se mbledhja ishte me dyer të mbyllura, por të gjitha detajet e mbledhjes dolën në shesh.

/Veritas.com.al/