Trupat e para amerikane që përforcojnë aleatët e NATO-s në Evropën Lindore mbërritën të shtunën e 5 shkurtit në bazën ushtarake Rzeszow.

Një avion i vogël, sipas një burimi ushtarak polak, që transportonte personelin e zinxhirit komandues të Shteteve të Bashkuara, zbarkoi në mëngjes.

Kjo, ndërsa përgatitjet vazhdojnë në bazën ushtarake që është afër kufirit të Polonisë me Ukrainën.

“Siç u njoftua, elementët e parë të grupit të betejës së brigadës nga Divizioni i 82-të Ajror i Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara kanë mbërritur në Poloni”, tha një zëdhënës ushtarak polak.

Të mërkurën, presidenti i SHBA-ve, Joe Biden urdhëroi dërgimin e gati tre mijë trupave shtesë në Poloni dhe Rumani.

Rreth 1 mijë e 700 pjesëtarë të shërbimit, kryesisht parashutistë nga Divizioni i 82-të Ajror, do të vendosen në Poloni.

Sipas Pentagon-it, një skuadron Stryker (NYSE:) prej rreth 1 mijë anëtarësh të shërbimit amerikan me bazë në qytetin gjerman të Vilseck do të dërgohet në Rumani.

Trupat e para shtesë amerikane mbërritën në Gjermani të premten e 4 shkurtit.

Rusia ka mohuar planet për të pushtuar Ukrainën, por ka vendosur më shumë se 100 mijë trupa pranë kufijve të Ukrainës.

Autoritetet ruse kanë pohuar se mund të marrin masa të papërcaktuara ushtarake nëse kërkesat e tyre nuk plotësohen.

Ndër to, përfshihet premtimi nga NATO që të mos pranojë kurrë Ukrainën në aleancë.

Plani i ri shkon përtej 8 mijë e 500  trupave që Pentagoni vuri në gatishmëri muajin e kaluar për të vendosur në Evropë nëse është e nevojshme.

Ministrat e mbrojtjes të NATO-s pritet të diskutojnë përforcime të mëtejshme në takimin e tyre të ardhshëm më 16 dhe 17 shkurt.