Marshalli i aeronautikës, Sir Stuart Peach, është caktuar si i dërguari i ri i posaçëm britanik në Ballkanin Perëndimor.
Kryeministri Boris Johnson e ka kryer këtë emërim, si shprehje e përkushtimit për stabilitet dhe prosperitet në rajon.
Marshalli, është në rol aktiv si kryetar i Komitetit Ushtarak të NATO-s, një post i lartë në radhët a Aleancës së Atlantikut të Veriut. Nga ky post, për të qenë i dërguar i posaçëm në Ballkan, Peach do të dorëhiqet.
Si i dërguar i kryeministrit britanik, Peach do të punojë me krerët e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Gjithashtu, edhe me aleatë të tjerë në rajon, me aleatët amerikanë dhe ata evropianë.
Promovimi i institucioneve demokratike, do të jetë në vëmendje të marshallit. E njëjta gjë, do të ndodhë edhe me luftën ndaj krimit të organizuar dhe sfidave të tjera të mbrojtjes së vendeve ballkanike.
Një punë me shumë rëndësi sipas njoftimit zyrtar, do të jetë edhe ai i angazhimit me dialogun Kosovë-Serbi. Ai do të punojë me partnerët në mbështetje të vijimit të dialogut.
Përfaqësuesi i lartë ka paralajmëruar edhe mbi situatën në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe zhvillimet e fundit aty. Sipas tij, duhet punuar për bashkimin e saj të brendshëm dhe për të krijuar një të ardhme të begatë.
Vetë kryeministri Boris Johnson, është shprehur i shqetësuar për situatën në Ballkanin Perëndimor.
“Ballkani po përjeton kërcënimin më të madh për stabilitetin dhe sigurinë e saj në dekada. Kemi përgjegjësinë për të ruajtur paqen dhe dialogun”.
Për Sekretaren e Punëve të Jashtme britanike, Liz Truss, caktimi i Peach në këtë detyrë, është tregues i qartë i angazhimit britanik për të promovuar demokracinë në rajon.