Nga Leart Skiro/ Veritas

Një jetë të tërë që ndodh kështu: Qeveria kur ngec në rrugë dhe njerëzia e shikon, gjen një shkurre ku fshihet një lepur. E zgjon kafshën e frikësuar dhe i kënaq njerëzit; qeveria vazhdon rrugën e qetë, pa pikën e lepurizmit në bark.

Ja kështu po ndodh. Qeveria, së fundi ka zgjuar atdhetarizmin dhe i ka vënë njerëzit të merren me njëri tjetrin; pa për vete shikon punën. Një udhëtim i kryeministrit të Shqipërisë në Beograd, një vizitë që mund të bëhej e mund të mos bëhej, u kalkulua që të jepte “bukë” për popullin. U kalkulua që të zgjonte lepurin nga gëmusha dhe këta të merreshin me “kombin”.

Kryeministri bëri skenarin se si do të bënte “colpo” para kombit ë vet, dhe e gjeti: Foli për Shqipërinë sikur kjo nuk kishte pasur shtet kurrë. Pastaj iu afrua “Sandrit”- siç i thërret në intimitet kryeministrit Serb, dhe i bëri “isharete”, herë si armik e herë si i dashuruar. Më në fund firmosi edhe një marrëveshje për autostradat që kalojnë nëpër territorin e Kosovës deri në Nish të serbisë. Këtu e kishte lidhur guximin me “lepurin”. Këtu ai e dinte se po prekte një ligj të shenjtë që shtetet nuk mund të shkelen me këmbë nga shtetet e tjerë, qoftë edhe “shtete vëllezër”. Qeveria, as Kuvendi, as presidenti i Kosovës nuk ishin njoftuar e as ishin ftuar për të nënshkruar marrëveshjen që prekte territorin shtetëror.

Pas kësaj historia do të vazhdonte, por vetë qeveria do të ishte e qetë.

U krijuan dy kampe, dhe kjo ishte një fitore tjetër; qeveria nuk bënte pjesë në asnjërën anë të “luftës”. Kampi që tha se “kjo sjellje është e papranushme ndaj një shteti të pavarur si Kosova”, dhe kampi tjetër se “hajt mor burrë se vëllezër jemi”. Varet se në cilën anë të barrikadës është interesi. Vetë akademiku kosovar Rexhep Qosja, i njohur për dashurinë që ka ndaj pavarësisë, mbajti anën e “hajt mor burrë!”. Se ku kishte gjetur një nocion të panjohur “e drejtë natyrale” dhe tha se kryeministri i Shqipërisë “ka të drejtë natyrale” të shkelë mbi të tjerët. Veç një zot e di se ku gjenden këto të drejta të paqena!

Edhe presidenti i Kosovës, Thaçi ushtoi me natë e me ditë drejt Tiranës për t’u shfaqur në një televizion në Tiranë që të mbronte veprimin e kryeministrit të Tiranës. Edhe ky tha “haj se kot e kritikojnë Ramën”. Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, e teproi më shumë se askush; tha një budallëk që as e mbaj mend. Gjithnjë ai hedh aguridhe mbi tavolina.

Ndërsa krahu tjetër, përballë, u vunë shkrimtarë, opinionistë, opozitarë politikan, artistë… Këta nuk kishin interesa me qeverinë dhe ngritën zërin kundër shkeljes mbi të drejtat e Kosovës. Sot, Ben Blushi- socialist që po krijon një parti tjetër socialiste, arriti të alarmojë situatën duke thënë se “Kosova e ka fituar pavarësinë, por duket se po ia merr Shqipëria”.

E tëra solli ujë te gëmusha anës rrugës ku kalon qeveria. Qeveria nuk ka asgjë, asnjë punë, si qeveria këtu edhe në Kosovë dhe ngjallin “lepuj” për të argëtuar popullin.

E njëjta gjë  po ndodh me kanabisin. Mediat dhe opozita kanë rënë në kurthin e qeverisë. Ka lajme dhe deklarata vetëm për kanabisin. Sot u kap një ton në Athinë dhe u tha se vjen nga Shqipëria, me pronar Balilin, alias Escobar i Ballkanit. 300 policë dolën në terren për të gjetur magazinat e kanabis-it. Avionë të vegjël për drogë u kapën në foto mbi qiellin e Shqipërisë, sipas postimeve nga vetë ish- kryeministri Berisha…

Asnjë lajm tjetër. Apo nuk ndodh gjë tjetër?! Në fakt ndodh gjëja kryesore: Që nu po ndodh asgjë në përmirësimine jetës së njerëzve. Përkundrazi, po rrënohet. Por ky “nuk ëhstë lajm”. Opozita dhe mediat dhe kishat dhe xhamitë, dhe aktivistët…, kanë rënë në grackën e qeverisë. Ka vetëm kanabis dhe atdhetarizëm, të dyja droguese për mendjen e njeriut të varfër.

/Veritas.com.al/