Te vetmen çështje që ka shkaktuar tensione diplomatike, kryeministri e preku vetëm në rrjetin X. Duke dhënë përshtypjen se kishte reflektuar pasi kishte lexuar me kujdesi vendimit të Gjykatës Speciale mbi mosdhënien e lejes për betimin të kryetarit te zgjedhur të Himarës Fredi Beleri, Edi Rama la te kuptohej se kishte marrë disa vendime.
Së pari, Fredi Beleri nuk do të shkarkohet nga qeveria.
“Kryetari i zgjedhur i Himarës mbetet i tillë deri në fund të gjykimit dhe vetëm shpallja me vendim të formës së prerë do të përcaktojë mundësinë e tij për t’u betuar në rast pafajësie apo pamundësinë e tij për të mbetur kryebashkiak në rast fajësie, është po ashtu qartësisht i lexueshëm dhe lehtësisht i kuptueshëm”, ka thënë ai.
Por nëse kjo do të mërzisë sërish Athinën, një ngushëllim i vogël është se shpejti nga zyra e kryebashkiakut do dalë shumë shpejt minoritari socialist, Jorgo Goro.
“Kryebashkiaku ende në zyrë nuk e ka legjitimitetin për të drejtuar bashkinë në mungesë të fituesit, e bën qartësisht të lexueshme dhe lehtësisht të kuptueshme nevojën e daljes nga ky ngërç përmes ndërprerjes së vazhdimësisë së qëndrimit në detyrë të kandidatit humbës, bazuar në praktikat më të mira europiane për sigurimin e shërbimeve publike në bashkinë e Himarës”.
Por nëse del Goro dhe Beleri nuk del nga burgu, kush do hyje ne zyrën e kryetarit të Bashkisë së Himarës? Rasti më i ngjashëm me Himarën është ai i Shkodrës në 2019, kur Valdrin Pjetri megjithëse fitoi mandatin, u largua pa e marrë atë dhe mandatin e gëzoi deri në fund kryetarja në detyrë Voltana Ademi.
Precedenti tjetër si në Vore apo Durrës, Këshilli bashkiak ka caktuar një nënkryetar, në rolin e kryetarit në detyrë. Por burime të larta zyrtare i konfirmuan në kushte anonimiteti ABC News, se rasti Beleri është i paprecedente dhe si i tillë do të ketë një zgjidhje të paprecedente: “Do jetë qeveria ajo që do të caktojë një kujdestar për bashkinë deri në përfundimin e gjyqit të Belerit. Ajo që ka më rëndësi në reagimin e kryeministrit është se kjo zgjidhje, sipas tij “krijon një premisë pozitive për adresimin e ngërçit”. Por kjo do të testohet kur të merret vesh emri i pasuesit të Goros dhe zëvendësuesit të përkohshëm të Belerit. Me siguri do jetë një minoritar, por jo socialist. Por a do jetë ky një kryetar minoritar i Dules, Berishës, Metës apo i Athinës, për këtë do na duhet të presim edhe pak.