SPAK kërkon të gjendet dhe të thirret Anjola Agolli ish sekretare e ministrit të Drejtësisë, e cila nuk është gjetur megjithëse SPAK ka vënë më dispozicion një adresë të re të saj.
Ndërkohë u përsërit thirrja për të bashkëpandehurit e tjerë mes tyre Luan Hoxha, Dritan Minxolli dhe Mihal Delijorgji të cilët nuk janë gjetur në adresat e deritanishme të çuara në gjykata.
Gjykata informoi se Ministria e Drejtësisë ka dërguar letërporosinë në SHBA për të marrë në pyetje Patrick Henry dhe përfaqësuesit e kompanisë SAC. Prokurori i SPAK kërkoi në seancën e radhës se nëse do të jetë gati mund të pyetet edhe Mediu në cilësinë e të pandehurit.
Ky i fundit tha për mediat se për këtë çështje do të komunikonte me avokatët, ndërsa shtoi se ka pritur 16 vite dhe nuk i është shmangur drejtësisë.
“Sa i përket vazhdimit të procesit i bëj thirrje që gjithsecili të vijë dhe të mbajë qëndrimin për të drejtën e tyre dhe të mos zgjedhin pozicionin e heshtjes. Do të ishte më mirë që me dëshmitë e tyre të hedhin dritë për të shmangur çdo manipulim që është bërë nga grupe apo interesa të ndryshme politike. Unë kam pritur mbi 16 vite të pyetëm nga Prokuroria, dhe Prokuroria e ka pasur të gjithë mundësinë të pyesë po asnjëherë nuk ka denjuar të pyesë”, tha ai.
Dëshmitari i fundit Ilmi Laçaj refuzoi të jepte deklarime dhe seanca e radhës për “Gërdecin” do mbahet më 21 shkurt në orën 09:00.