Nga: L. Skiro/

Sot ish-kryeministri Sali Berisha ka pritur në një takim në zyrën e tij ambasadorin amerikan në Tiranë, Donald Lu. Takimin e ka konfirmuar edhe vetë zyra e zotit Berisha, por nuk ka asgjë më të hapur se kaq. Të gjitha hamendjet për këtë takim të çojnë në situata të sforcuara që kanë krijuar klimën për takimin.

Pyetja e parë është pse ky takim në mes të tymtajës së ndikimit të ‘aktorëve’ ndërkombëtarë në Ballkan?

Në këto momente ka një përplasje të heshtur të aktorëve ndërkombëtarë që veprojnë në rajonin e Ballkanit, që nga BE, SHBA, Rusi, Turqi. Para pak ditësh ka dalë mbi ujëra një informacion se fushata zgjedhore e PD qenka ‘financuar nga Rusia’. Disa prova të ardhura nga gazetarë investigativ amerikanë, deri edhe New York Times dhe VOA kanë hedhur dritë mbi një linjë të mundshme financimesh Rusi- PD.

Por a është kjo çështje për t’u biseduar mes ish- kryetarit të PD, Berisha dhe ambasadorit Lu? Kjo është e debatueshme. Mund të jetë akoma herët për të ‘pjekur’ këtë bisedë mes palëve. Çështja e financimeve është më shumë një çështje hetimesh se sa politikash, sot për sot.

Po krimi dhe korrupsioni shtetëror?

Zoti Lu ka mbajtur gjithnjë anën e qeverisë, e cila mban peshën e përgjegjësisë për korrupsionin dhe krimin e organizuar; sot nuk ka gjasa që të flasë me opozitën mbi këtë çështje. Nëse do  të ishte ky objekti i bisedës Berisha- Lu, atëherë mund të mendohet se ‘diçka po ndodh’, ndoshta ndryshimi i kursit të vetë ambasadës së Shteteve të Bashkuara.

Apo ka një projekt amerikan mbi Shqipërinë, që transmetohet përmes ambasadorit në Tiranë? Nëse është ky projekt, ende i pazbuluar, atëherë kërkon mbështetje edhe nga Opozita- dhe kjy mund të ishte argumenti pse ambasadori amerikan takon ‘faktorët’, mes të cilëve edhe Berishën. Po cili është projekti?

Administrata e presidentit Trump ka pak ‘ngjitje’ në politikën shtetërore të Shqipërisë. Qeveria shqiptare është pozicionuar kunndër presidentit Trump, që nga fushata e zgjedhjes së tij dhe deri në vendimin e Trump për të vendosur ambasadën amerikane të Izraelit, në Jerusalem…

Shumë biseda të rëndësishme mes përfaqësuesit të lartë diplomatik amerikan me liderët shqiptarë, fatkeqësisht mbeten të mbuluara; megjithëse të fokusuara nga disa fakte dhe hamendje.

Veritas.com.al/