Frrok Çupi/

Nëse autoritetet e  Shqipërisë nuk përdorin mekanizmat diplomatikë ndaj shtetit të Francës, atëherë shteti dhe kombi ynë do të mbeten më kokulur.

Shteti i Francës akuzohet për vrasjen e një djaloshi shqiptar vetëm 23 vjeç. Florenc Beqiraj kishte mbërritur në Francë vetëm disa muaj më parë dhe punonte për ‘të mbijetuar’. Policia e shtetit të Francës e kapi ‘emigrantin pa dokumente’ dhe e plasi në burg. Brenda pak ditësh pasi e burgosi, dikush nga burgu njoftoi se Florenci ‘po jep shpirt’. Babai i tij, Gëzim Beqiraj nga Shkodra, e gjeti djalin në një spital të Marsejës, krejt të rrënuar, me plagë të shkaktuara shtazërisht në trupin e tij, me vija litari në fyt dhe plagë telash në duar. Babai nuk arriti kurrë të flasë një fjalë me të birin. Ai dha shpirt kur sapo i hoqën aparaturat që e mbanin në jetë.

Po pse e vrau Franca Florencin?

Sepse vetëm shteti francez akuzohet për vrasjen. Shteti e mori nga pazari ku punonte dhe e futi në burg; dmth., e futi në gjirin e tij. Aty në gji të shtetit që quhet burg në këtë rast, nuk mund të thotë shteti francez se dikush hyri dhe ‘ma dhunoi’. As mund të thotë se dikush erdhi ‘nga Shqipëria’ që e dhunoi- siç na akuzojnë vazhdimisht si të dhunshëm. As mund të thotë shteti Francez se dikush nga brenda burgut e dhunoi djalin shqiptar ‘në atë far feje’. Atëherë në të gjitha rastet, vrasësi është shteti. Me një shtet që na ka vrarë një djalë të rrethuar në burg, a mund të kemi marrëdhënie normale diplomatike?

Të paktën për momentin, a nuk mund t’i tregojmë botës së “Jemi për veten tonë”?!.

Diplomacia dhe shteti shqiptar duhet të reagojnë diplomatikisht ndaj shtetit të Francës. Të paktën të tërhiqet ambasadori shqiptar. Të paktën të thërritet ambasadori i Francës. Të paktën të dërgohet një rezolutë në Kombet e Bashkuara… Pse duhet të hezitojë shteti? Pse Franca është ‘shtet i madh dhe aleat’?- për këtë arsye? Po Amerika, vallë është shtet i vogël, që qeveria shqiptare votoi kund tij në OKB?! Madje votoi kundër duke votuar në dëm të shqiptarëve, jo në protestë për një vrasje- si në rastin e Francës.

Po pse e vrau Franca Florencin, emigrant shqiptar?

Pse ishte emigrant? Po Franca i përket atij grupi shtetesh në BE që ka shpallur ‘kufij të hapur’. Po Franca është nga ata shtete që në Paris ka më pak francezë se të huaj. Po Franca po pranon çdo të zi e të verdhë nga bota; nuk paska vend për një shqiptar? Emigrimi është një ‘mersi’ që BE po ia atribuon vetes. Papa Francesku dje tha se ‘edhe Maria e Jozefi kanë emigruar’. Pra emigrimi qënka edhe i shenjtë dhe i lidhur me Jezusin ku betohet Franca. E pse të vritet Florenci për atë akt që paska kryer edhe Krishti?

Nëse drejt shtetit francez drejtohen disa pyetje,atëherë në drejtim të shtetit shqiptar drejtohet vetëm një: “A do t’i mbrosh qytetarët e tu, i dashur shtet; apo do t’i vendosësh si guralecë në murin e madh të negociatave me BE?!, që në fakt nuk vlejnë nëse anëtarët e BE na vrasin njerëz pa gjyq…

Veritas.com.al/