Deputetët e Partisë Demokratike kanë bllokuar 2 nga 4 hyrjet e Kuvendit, që të ndalojnë futjen e deputetëve socialistë në sallën e Kuvendit.

Sipas tyre, për sa kohë garda e Republikës u ndalon hyrjen deputetëve demokratë që nuk janë përjashtuar, as ato nuk do i lejojnë që socialistët të futen në Kuvend, duke ndaluar zhvillimin e një seance normale të Kuvendit.

“Deputetët e papërjashtuar duhen lejuar të futen në seancë, kjo nuk po ndodh, është një parlament njëpartiak që lejohen vetëm ato që kanë tester. Ne do të tentojmë në respekt të mandatit që na kanë dhënë qytetarët, mandatet nuk i kemi fituar nga Rama, manekinë që ngrenë kartonin, janë kthyer në një manekin që ngrenë vetëm kartonin, ka më shumë forca sigurie se punonjës civilë apo se deputet”, tha kreu i i grupit të PD-së, Gaz Bardhi.

Ditën e sotme, ishte parashikuar miratimi i marrëveshjes për emigrantët me Italinë, por Gjykata Kushtetuese ka marrë në shqyrtim padinë e deputetëve Berisha-Bardhi, duke pezulluar kështu ratifikimin në Kuvend deri me daljen e një vendimi. Ndërkohë, pritet të kalohen ndryshimet e rregullores së Kuvendit, nga ku parashikohet përjashtim deri në 60 ditë për deputetët që shkelin rregullat.