“Kosova është në situatë kritike dhe Mbretëria e Bashkuar ka një përgjegjësi atje”. Kështu u shpreh deputetja britanike Alicia Kearns e cila ka ngritur alarmin se në kishat ortodokse në veri të Kosovës po kontrabandohet armatim nga Serbia përmes ambulancave.
Gjatë adresimit të saj në Parlamentin e Mbretërisë së Bashkuar, ku si temë kyçe kishte përkujtimin e gjenocidit të Serbisë në Srebrenicë të Bosnje e Hercegovinës Kearns shprehu shqetësimin edhe për armatimet që Britania i shet Serbisë dhe kërkon që të vihen ‘frena’.
“Unë jam shumë e shqetësuar për faktin se ne po i shesim municione të vogla Serbisë. Duke qenë se policia atje ka kryer sulme dhe ka rrëmbyer tre policë kosovarë, si e dimë ne se asgjë që i kemi shitur Serbisë nuk përdoret në atë kontekst? Unë kërkoj që të vihen frena dore në të gjitha eksportet drejt Serbisë”, tha Kearns.
Po ashtu kërkoi që mandatit të KFOR-it t’i zgjatet mandati për të luftuar kontrabandën e armëve në veri të Kosovës.
Tensionet në veri të Kosovës i cilëson si moment kritik që ka prekur Ballkanin. Teksa kujton masakrën e Sebrenicës thotë se në vitin 1995 bënë premtim se nuk do të ketë më gjakderdhje ndaj i bën thirrje qeverisë që të zgjohet e të mbajë këtë premtim.