Dështon plani i presidentit malazez Milo Gjukanoviç për të çuar vendin në zgjedhje të parakohshme këtë vjeshtë. Kërkesa e tij për shpërndarjen e Kuvendit është hequr nga rendi i ditës në seancën e sotme.
Pak kohë më parë, partia e Gjukanoviç rrëzoi qeverinë e Abazoviç dhe u tentua krijimi një mazhorance të re. Për kryeministër u propozua Miodrag Lekiç. Por presidenti refuzoi t’i jepte mandatin për formimin e qeverisë dhe urdhëroi shpërndarjen e Parlamentit dhe mbajtjen e zgjedhjeve te reja. Pro dekreti i tij u hoq sot nga rendi i ditës. Nga 80 deputetë, 41 votuan kundër tij, çka do të thotë se plani i presidentit për zgjedhje të reja është shtyrë dhe për disa kohë.
Pas seancës presidenti deklaroi se Kuvendi nuk i përmbushi përgjegjësitë e tij kushtetuese.
“Afati 32 ditor u shpenzua për shkak të lojërave politike të partive nga shumica parlamentare në vitin 2020. Unë kam paraqitur një iniciativë për shkurtimin e mandatit në Kuvend pasi i kemi shterur mundësitë kushtetuese. Në këtë mënyrë, Parlamenti tregon se nuk i përmbush kompetencat e tij kushtetuese“, tha ai.
Ai e ka akuzuar kryeministrin në largim, Dritan Abazoviç si “kontraktor të Serbisë së Madhe”, e cila sipas presidentit, i shërben synimeve të Rusisë Perandorake, raporton “Vijesti”.
“Ai afat ka kaluar dhe tani parlamenti është përgjegjës për paralizën institucionale të Malit të Zi. Ata që nuk ia dëshirojnë të mirën Malit të Zi, duan paralizën institucionale të Malit të Zi, prandaj asnjë nga 18 kandidatët për Gjykatën Kushtetuese nuk u zgjodh. Për të vërtetuar tezën e nacionalizmit serbomadh dhe se Mali i Zi duhet të kthehet në Serbinë e Madhe, që është dëshirë edhe e Rusisë Perandorake edhe e Serbisë së Madhe. Është e qartë se ata kanë një kontraktues, dhe ai është kryeministri aktual”, tha Gjukanoviç.