KOMENT/
Askush që beson në progres, stabilitet, bashkëpunim rajonal dhe agjendë evropiane nuk duhet t’i gëzohet dorëheqjes së kryeministrit Zoran Zaev dhe humbjes zgjedhore të partisë së tij LSDM në zgjedhjet lokale të Maqedonisë Veriore. Më së paku, Kosova dhe Shqipëria.
Sa është e dëmshme dorëheqja e Zoran Zaev nga posti i kryeministrit të Maqedonisë Veriore dhe nga shefi i partisë së tij, LSDM?
Së pari, do ta dëmtojë strukturalisht orientimin pro-evropian të Maqedonisë Veriore. Forcat reaksionare që fituan pushtetin lokal (VMRO-DPMNE dhe partitë opozitare shqiptare) nuk njihen për agjendë të theksuar pro-evropiane. Ky është një fakt fatkeq – por fakt, megjithatë.
Së dyti, qeveria e Zaev ishte mbase qeveria më progresive (politikisht dhe ekonomikisht) që e pati Maqedonia Veriore prej themelimit të saj më 1991. Gjithnjë krahasuar me qeveritë e mëparshme, kjo e Zaevit u dallua për transparencë të shtuar në fushën e rendit dhe ligjit, si dhe u përpoq të mirëmbajë agjendë të stabilitetit ndër-etnik.
Shkurt, forcat reaksionare fituan pushtetin lokal në Maqedoninë Veriore. Sot, pas dorëheqjes së Zaevit duhet të pritet shpallja e zgjedhjeve të parakohshme, kurse gjasat janë që VMRO-DPMNE se bashku me aleatët e tyre shqiptarë ta fitojnë edhe pushtetin qëndror. Këtu, duhet përsëritur se, sikurse VMRO-DPMNE, ashtu edhe Lëvizja BESA (që fitoi komunën më të madhe shqiptare, Tetovën) nuk shquhen për agjenda pro-evropiane apo pro-perëndimore. Historikisht, sytë e tyre ideologjikë ishin të kthyer kah Lindja – qoftë nga Rusia (VMRO-DPMNE), qoftë nga Turqia (BESA). Sado që kjo mund të tingëllojë kontraverse dhe e kontestueshme kur formulohet kaq drejtpërdrejtë, megjithatë mbetet fakt të cilin asnjëra nga to s’mund ta mohojë.
Patjetër, në afat të shkurtër, përmbysja e LSDM-së në zgjedhjet lokale do të maskohet publikisht si fitore e ‘reformatorëve’ dhe ‘progresistëve’. Do të dëgjohen fraza mbi ‘fitoren ndaj hajnisë dhe korrupsionit’, mbi ‘triumfin e demokracisë’ dhe dokrra të tjera. Mirëpo, shpejtë do të vërehet se mposhtja e Zaevit ishte pasojë e demagogjisë ordinere ndaj një shoqërie politikisht analfabete. Prej sot, rajoni i Ballkanit jugperëndimor ka rrëshqitur edhe një shkallë më thellë në jostabilitet dhe, si zakonisht, i prirë nga grupe politike të cilat agjendat e dyshimta i kanë të mbështjellura me fraza mbi çlirimin dhe progresin./PERISKOPI/