Një tërmet i radhës i magnitudës 3.0 i shkallës Rihter është regjistruar në Shqipëri, i gjashti brenda 12 orëve të fundit dhe i radhës në një seri lëkundjesh tektonike, të cilat kanë nisur prej mbrëmjes së 15 janarit dhe nuk janë ndalur.

Sipas Qendrës Sizmologjike Euro-Mesdhetare, epiqendra ka qenë 20 kilometra në veri të Tiranës, në zonën e Klosit.

Një tërmet fillestar i magnitudës 4.7 i shkallës Rihter do të godiste Shqipërinë rreth orës 22:37 të 15 janarit, duke i hapur rrugë një kalvari të tërë paslëkundjesh të ndjeshme përgjatë gjithë natës.

 E menjëhershme ishte një e dytë, e regjistruar vetëm pas lëkundjes së parë, me një magnitudë prej 4.1 e shkallës Rihter.Më pas, tërmete me intensitet më të ulët – dhjetëra të tillë – të cilët u përllogaritën në shkallën Rihter rreth magnitudës 2 deri në 2.7, goditën vendin përgjatë gjithë natës, duke mos i lënë në qetësi qytetarët.

Epiqendra e tyre në Bashkinë Klos, ku edhe sizma më e fortë është ndjerë.

Më pas, kryeqyteti, Tirana, ka pasur çaste ankthi prej lëkundjeve, por ato janë raportuar në gjithë Shqipërinë.

Kështu ka bërë me dije menjëherë pas goditjes së parë Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile dhe IGJEUM.

Më pas, ishte ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, ai i cili garantoi se nuk ka dëme të raportuara, përtej atyre shumë të vogla në njësinë Administrative Xibër dhe se të gjitha strukturat e Mbrojtjes Civile ndodhen në gatishmëri për të përballuar çdo pasojë të mundshme.

Sipas sizmologëve, aktiviteti është normal dhe pritet thjesht një rënie e intensitetit të goditjeve, deri në përmbylljen tërësore të tyre.

Teksa, të tilla sizma, kthejnë në vëmendjen e qytetarëve tërmetin e 26 nëntorit 2019, i cili asokohe la pasoja të mëdha si në njerëz, ashtu edhe në dëme të konsiderueshme në gjithë vendit, të cilat ende nuk janë rekuperuar krejtësisht.

Kjo ka qenë edhe një arsye e shtuar pse qytetarë të shumtë kanë zgjedhur të kalojnë jashtë – pavarësisht temperaturave të ulëta – çastet pas tërmetit, por edhe më gjatë.

Lëkundjet e fundit të ndjeshme në Shqipëri, janë raportuar nga Qendrës Sizmologjike Euro-Mesdhetare EMSC rreth orës 05:00 të 16 janarit, me një intensitet prej 2 ballësh të shkallës Rihter.