Edhe pse gjykata e Apelit vendosi të kthejë çështjen në shkallë të parë, duke lënë kështu Sali Berishën pa vulën e siglën e PD, ky i fundit pasditen e djeshme firmosi shkresën për KQZ-në, për regjistrimin e partisë në zgjedhjet e 14 majit.
Në një raportin për ABC News, gazetarja Erneta Shevroja tha se shkresa e dorëzuar mban firmën e Sali Berishës, si kryetar i PD, dhe pritet të diskutohet në mbledhjen e KQZ, edhe pse shanset për t’u miratuar, ligjërisht janë zero, pasi Apeli rrëzoi vendimin ‘Zhukri’.
Paralelisht me këtë shkresë, Sali Berisha po kryen cdo lëvizje me qëllim gjetjen e alternativës për të marrë pjesë në zgjedhje.
Një opsion është skenari i 6 marsit, ku Partia e Lirisë mund të jetë partia me të cilën do jetë udhëheqëse e një koalicioni, por pjesë e diskutimeve janë edhe partitë e vogla. Berisha po kryen negociata me Mediun dhe Duka dhe PL e Metës del e vetme në zgjedhje për këshilltarët bashkiakë.
Gjithësesi, gjithçka pritet të qartësohet në orët në vijim. Kujtojmë se sot përfundon afati për paraqitjen e kërkesave për regjistrimin e partive politike, ndërsa 15 marsi është afati i fundit për paraqitjen e kërkesave për regjistrimin e koalicioneve./abcnews.al