Eliot Engel, kongresmen Amerikan, shfaqet në Tiranë në klimë “acari”
Laert Skiro
Për publikun në Shqipëri emri i Eliot Engel është mjaft i njohur. Ai u bë prezent në vendin tonë menjëherë pas lëvizjeve vendimtare demokratike për rrëzimin e regjimit komunist të diktaturës. Sidomos në prag të trazirave të vitit 1997 ai ushtroi një rol të veçantë për të ndaluar rrokullisjen e rendit dhe të sigurisë në vend.
Në atë kohë mbahen mend mosmarrëveshjet e tij me Presidentin e Republikës, Berisha; ato mundën të sheshohen veç kur zoti Berisha mbajti publikisht përgjegjësitë e veta për situatën e rëndë të atij viti.
Kontributet e Eliot Engel për pavarësinë e Kosovës, janë një kapitull për të cilin shqiptarët si në Kosovë, në Maqedoni dhe në Shqipëri, ia mbajnë mend dhe e çmojnë.
Kongresmeni Amerikan, edhe nga temperamenti, nga portreti dhe për shkak të njohurive mbi shqiptarët, është shumë familjar me ne. Aq më tepër që ka qenë kurdoherë i rezervuar në vizitat e tij në Shqipëri dhe Kosovë, asjë herë nuk e ka tepruar. Veçse duhet theksuar se gjithnjë është bërë prezent kur ka pasur probleme të nxehta në politikë ose në diplomaci.
Sot kongresmeni Eliot Engel, i shoqëruar nga shqiptaro- amerikani Harry Bajraktari, që në mëngjes ka vizituar zyrën e Presidentit të Republikës, Nishani; dhe zyrën e kryetarit të Partisë Demokratike, në opozitë, Basha. Sipas zyrës së PD duket sikur nuk është folur ndonjë gjë shumë e madhe me zotin Basha; por kjo, sipas stilit të protokollit akoma të vjetër e hermetik, nënkupton se janë thënë gjëra që nuk i shpallin. Ndërsa me Presidentin e Republikës, për publikun është transmetuar toni shumë zyrtar, shumë i përgjithshëm, si psh: ““Shtetet e Bashkuara kanë qenë pranë Shqipërisë dhe shqiptarëve në momente kyçe të historisë së tyre moderne dhe lista e falënderimeve do të ishte shumë e gjatë, por një falënderim të veçantë dëshiroj ta bëj për mbështetjen që SHBA-të kanë dhënë për rrëzimin e regjimit komunist dhe dekomunistizimin e vendit, si dhe për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, duke e ndihmuar të bëhet një anëtare e denjë e kësaj aleance” – u shpreh Presidenti Nishani.
Po çfarë ka pas këtyre që thuhen për ardhjen e zotit Engel?
E para, kongresmeni amerikan, i njohur për idetë e tij anti- komuniste, ka kryer dy vizita zyrtare brenda një paradite; dhe të dyja te zyrtarë të lartë që përafqësojnë krahun e djathtë të politikës shqiptare: Nishani dhe Basha. Kjo ka një kuptim, sigurisht, aq më tepër sot kur opozita e djathtë në Shqipëri ndodhet nën trysninë antidemokratikë të të majtës së deformuar si Rilindje
E dyta, fakti që Engel viziton zyrat e djathta, duke sfiduar qeveritarët e majtë, lexohet si një qëndrim i tij përballë influencave Sorroiste ndaj qeverisë Rilindase.
E treta, zoti Engel vjen në Tiranë në një moment kur thuajse gjithë sipërfaqja e mbjelle në Shqipëri mbulohet nga bimë narkotike. Trafikimi i drogës kryhet nga qeveria. Ndërkohë që Fuqitë e Mëdha dhe shtetet Perëndimore po heshtin rreth këtij problemi. Edhe ambasadori amerikan në tiranë, Donald Lu, po konsiderohet palë me qeverinë.
E katërta, zoti Engel vjen në Shqipëri në momentin kur qeveria po përdor shumicën parlamentare për të kryer Reformën në Drejtësi në mënyrë të njëanshme, pa opozitën, pa konsensus demokratik. Vetë ambasadori i SHBA në Tiranë është shprehur kundër konsensusit politik. Rreziku që Drejtësia të vihet nën sundimin e qeverisë, tani është më i madh se kurrë. Por kjo, për shkak të ambasadorit, duket se kryhet me bekimin e Amerikës.
Kongresmeni Engel u shfaq në Tiranë në këtë klimë kaq të acartë vere.