Nga Frrok Çupi

Nuk është se në një vend me një parti të vetme ‘nuk paska demokraci’; kjo praktikë është e njohur botërisht. Tani duket qartë se skena e njohur do të luhet në vendin tonë. Partia Socialiste, pak nga pak, po e lëshon kuptimin e ngushtë ‘partia’ dhe po kthehet në maxhorancë qytetare e politike. Partitë politike, rreth saj, kanë nisur të punojnë ‘si bleta’ nën pemën e Partisë Socialiste. Eksperienca zjarrvënëse e partive, veçanërisht shuma e pjesëve të mbetura të Partisë Demokratike, u kthye në filozofinë reale konfuciane: “Sa më keq- aq më mirë!’. Bënë sa bënë të keqen…Një ditë i harxhuan ligësitë, bombat, mosbindjet, bojkotet, flakadanët, budallallëkun…, notuan në ujëra të cekëta dhe tani mbetën në zall. Pjesën e kohës kur askush nuk po u thoshte me nerv ‘heej!, çfarë bëni kështu se do t’u ndalojmë’, ata e perceptuan si ‘fitore’. As maxhoranca politike, as qytetarët, as nxënësit e shkollave…, askush nuk desh t’ia dinte çfarë bënin ata. Shtetet e Bashkuara, si aleati i madh i kombit, nuk desh t’ia dinte më, as i interesonte.

-Tani të merremi vesh; e bëtë atë që deshët? Ejani të bëni ndonjë punë të vlefshme!

Kështu duket si i bindi Partia Socialiste, si një mama dhe kujdestare e mirë e këtyre copëzave partie. Dje nisi afrimi për ‘kah shtëpia’ e partive, ca ‘PD’, ca ‘Rithemelimi’ (si të thuash ‘Shtetrrethimi’), ca si Faltore e ca si ballkonada. Në fakt vetëm kaq ka ndodhur dje kur maxhoranca thërriti në tryezë pjesëzat e mbetura të politikës së partive. Të gjithë do të marrin pjesë në një ‘Parlament funksional’ dhe jo në një tymnajë zjarrvënësish. Me siguri, me këtë rast, do të miratohen disa iniciativa ligjvënëse, do të dalin ca qindra a mijëra nga burgjet dhe do të hapet vend për ca më të mallkuar, do të kënaqen partitë me ligjin zgjedhor… dhe kjo është e tëra. Në fund të ditës, partia qeverisëse do të ketë bërë punët për ‘shtëpinë’, domethënë ato që i duhen vendit. Mandatin tjetër, siç duket qartë, Partia Socialiste do të ketë më shumë se shumë vende në Parlament. Në fakt, këtu po konsolidohet teoria politike se edhe me një parti të vetme ushtrohet dhe zbatohet demokracia. Eksperienca e demokracisë para- politike e popullit tonë e ka provuar me sukses, madje për periudha të rëndësishme të historisë së vet.
Çfarë ndodhi vallë, si u zbutën të gjithë njëherësh?

Nuk ka ndodhur ‘zbutja’, ka ndodhur ëndrra. Të gjitha pjesët e ndara po shikojnë ëndrrën e tyre, por ‘pa u habitur’, siç shkruan Erich From. Pjesa zyrtare e PD po frikësohet si në një ëndërr me ardhje të barbarëve; ata mendojnë se ‘Ri- shtetrrethimi’, ‘Faltorja’, ‘Poshtë- Ballkonorja’, e mesmja dhe e skajshmja…, po vijnë t’i zënë vendin. E gjithë energjia- të ruajnë domenet. Pjesa e sapo ardhur nga Amerika, që strehohen ‘poshtë ballkonit’ menjëherë sapo kthehen nga Uashingtoni, përplasen me njëri tjetrin dhe me atë që rri në katin e tetë. Njëri tjetrin po e quajnë tradhtar, ndërsa atë në ballkon po e mohojnë: ‘O ti, o ne… ik tani!’.

Ai që rri në ballkon shikon ëndrrën e tij:

Ai është i arrestuar në katin e tetë, por shpreson se me këtë rast ‘shokët do ta shpëtojnë’. Ka dy ditë që ka rënë ‘squkë’ dhe i lë shteg thashethemeve se i ka vërshëllyer kryeministrit që nga kati i tetë dhe ka lidhur aleancë për një ‘lirim nga arresti’. Mulin që e kishte ‘fajkua’ e ka tërhequr, edhe mund ta ‘vrasë’ sepse tani i prish punë. Këta të gjithë po shikojnë ëndrrën e tyre, por ndërkohë po bëjnë ca punë për ‘shtëpinë’. Mbledhin shkarpa, lidhin qentë, ushqejnë pulat, riparojnë një gardh, neutralizojnë njëri tjetrin që të mos ndezin flakadanë… Dhe më në fund të votojnë ligjet që i duhen vendit. Kaq është boll.