Frrok Çupi/

Sa herë është thënë se ‘BE do të vendosë vizat’ për shqiptarët… Kurrë nuk ka pasur substancë, sepse BE ishte me dy krahët hapur për të pritur të huaj.

Çfarë ndodhi dje?, krejt papritur.

Ishte një moment gati ‘apokaliptik’ kur u morën vesh rezultatet e zgjedhjeve në Gjermani. Ishte njësoj si të ndash ditën nga nata, por jo natyrshëm, dmth., sikur në mesditë- në një sekondë- të bjerë mesnata… Sa tronditëse do të ishte!

Gjithë bota dashamirëse e emigracionit dhe e ‘lëvizjes së lirë’ e kishte mbledhur mendjen se me zgjedhjet në Gjermani do të garantohej edhe një periudhë tjetër 4- vjeçare ‘në komfort’. ‘Mamaja Merkel’ kishte kapërcyer male e fusha politike dhe kishte arritur në pikën që askush më nuk po e bezdiste mbi politikën e saj mbi emigrimin e ‘1 milionë njerëzve në shtetet e BE’.

Ja si ishte pastruar fusha para “Mama Merkel”:

Amerika:

Edhe pse papritur sipas Merkel dhe ekipit të saj, Hillary- mike dhe kliente, humbi zgjedhjet presidenciale, prapë se prapë fitoren e Donald Trump nisi ta administrojë. Fillimisht Angela iu sul keq, tamam si një ‘djall’ komunist e Gjermanisë Lindore. Pastaj i shkoi për vizitë në Shtëpinë e Bardhë, por pa hequr një presje nga ‘lufta kundër Murit’. Zoti Trump gjithashtu qëndroi në pozitat e forta kundër emigracionit masiv. Por zonja Merkel, ashtu si ‘pa formë’, bëri sikur Amerika nuk ekzistonte dhe vazhdoi me anije pa fund emigrantësh nëpër detin Mesdhe.

Me Turqinë:

Edhe pse i kishte ofruar ‘karrotën’- pranim në BE presidentit Erdogan, ai nuk besoi te Merkel. Plasi konflikti. Njëri e akuzoi tjetrin si ‘Naziste’ dhe tjetra si ‘Sulltan’. Por edhe Erdogan u qetësua në një moment dhe nuk i hapi portat e Sirisë drejt Europës. Po të kishte ndodhur, ndoshta sot Merkel nuk do të ishte as kandidate për kancelare.

Me Theresa May të Britanisë së Madhe,

para të cilës u ndje e mundur në një moment, e mori veten shpejt dhe bota nisi t’i thotë vetëm Merkelit ‘gruaja më e fortë e botës’. Zonjën May e ‘futi në thes’ ditët e fundit dhe e joshi që të shtyje edhe dy vjet pas afatit largimin e Britanisë nga BE. Ky moment kur Merkel mori ‘fitoren e Pirros” siç shkruante Breitbart, mund të shpëtojë edhe Britania nga duart e Merkel.

Me Francën:

Ethet më të egra zonja Merkel i ndjeu para Marine Le Pen. Deri në momentin e fundit manifestoi një frikë të tmerrshme se mos fiton ‘gruaja që do të mbyllte portat’ e Francës dhe të Europës për emigrantët. Kur fitoi Macron, një pro- europianist, Merkel u lëshua e shlodhur, por  dhe e gatshme për të fituar mbi ‘populistët konservatorë anti- emigracion’.

Edhe në Gjermani fitoi:

Ditët dhe javët para 24 shtatorit, kur po vinin zgjedhjet gjermane, zonja Merkel u ndje e sigurt në fitore. Jo vetëm pse poll-et e garantuan, por as e gënjyen. Merkel fitoi, por nuk fitoi doktrina e saj ‘pro- emigracionit”, dhe pro kufijve të hapur të Gjermanisë. Kjo platformë alias ‘Merkel, humbi thellë.

Ky është ‘apokalipsi’; ky është momenti kur në mes të ditës u bë mesnatë!

Tashmë zonja Merkel nuk është më e zonja as të thërrasë emigrantë, as të deklarojë ‘jo viza’, as të jetë aleate e liderëve të establishmentit të BE dhe politikës së elitave të vjetra demagogjike në shtetet evropiane.

Tani po, ekziston rreziku i vizave. Merkel është…, por nuk është Merkel që ishte deri dje. Gruaja e fortë e Gjermanisë është ekselence pragmatiste dhe shkel mbi parime pa të keq. Tani edhe është e detyruar ta bëjë këtë, në qoftë se do që të mos harrohen edhe 12 vitet e kaluara në pushtet.

Ja si u kthyen të gjitha së prapthi:

Franca:

Presidenti Macron, një aleat i flaktë i Merkel mbi politikat në BE, ditën e zgjedhjeve në Gjermani humbi zgjedhjet për Senatin. Tani i duhet të bëjë aleancë me Republikanët konservatorë që janë kundër emigracionit masiv dhe ‘kufijve të hapur’.

Amerika:

Presidenti Trump ka pritur bashkëpunimin me zonjën Merkel, dhe kjo tani do të shfaqet para Shtëpisë së Bardhë me vizion kundër platformës së saj “për kufij të hapur”.

Fqinjët europian:

Orban i Hungarisë ka bërë thirrje të forta se ‘Europa po mbetet pa europianë’, pikërisht nisur nga tezat e Merkel dhe shijet e BE.

Polonia, Sllovakia, Çekia, Holanda, etj., presin të mbështesin politikat e ‘sovranitetit të kombeve’ dhe jo politikat e ‘kufijve të hapur’. Tani pas ‘rënies’ së Merkel, me siguri këto do të lulëzojnë.

Brenda Gjermanisë:

Zonja Merkel humbi aleancën me Social Demokratët (që mbështesin fort emigracionin). Po thërret në aleancë Liberalët, të cilët janë në pozicione të forta kundër emigracionit. Edhe aleatët natyral, Social Kristianët e Bavarisë- po planifikojnë të shkojnë më djathtas se deri tani. Prova është qëndrimi i fortë kundër emigracionit. Do të ketë aleatë edhe ‘Të Gjelbrit’, që i kanë vënë kusht kancelares ‘politika të forta’ për Mjedisin. Për rrënimin e mjedisit janë akuzuar dhe akuzohen emigrantët…

Merkel është e rrethuar.

Po në opozitë? Kjo është porta e mbyllur me hekur e beton. Këtu janë nacionalistët populistë të Partisë ‘Alternativës për Gjermaninë’ (AfD), prej të cilëve Merkel është trembur si nga temjani. Partia u krijua në vitin 2013 dhe kësaj here arriti të hyjë në Parlament me 12.6 për qind, parti e tretë me mbi 80 deputetë. Kjo është parti ‘e egër’ kundër emigracionit dhe kundër Islamit. Merkel, sapo mori vesh se ata fituan, bëri deklaratën se ‘do të punoj për t’i afruar’ nacionalistët e AfD.

Domethënë për t’u afruar në ide. Ideja e tyre është të mos ketë më emigrantë.

… Ku ka portë tjetër? Nuk ka. Zonja Merkel e ka të rrethuar platformën e saj të deri-djeshme.

Tani po, mund të flitet për ‘viza’.

Veritas.com.al/