Presidenti i Francës, Emmanuel Macron dhe kryeministri i Britanisë së Madhe, Keir Starmer, kanë diskutuar për çështjet globale, përfshirë Lindjen e Mesme, si dhe kanë përsëritur “mbështetje të palëkundur” për Ukrainën.
Macron vizitoi Starmerin në shtëpinë e kryeministrit britanik në Chequers. Siç njoftoi zyra e kryeministrit britanik, dyshja theksoi “nevojën për unitet në kohë të pasigurta”.
“Për Lindjen e Mesme, kryeministri dhe presidenti ranë dakord për rëndësinë e stabilitetit dhe sigurisë në rajon, si dhe nevojën për të shmangur përshkallëzimin rajonal. Për Ukrainën, udhëheqësit përsëritën mbështetjen e tyre të palëkundur dhe diskutuan rëndësinë e sigurimit që Ukraina të jetë në pozicionin më të fortë të mundshëm në vitin 2025”, thuhet gjithashtu.
Kryeministri Starmer informoi presidentin Macron për “regjimin e ri të sanksioneve të Britanisë të shpallur sot, i cili do të shënjestrojë operacionet financiare të bandave të kontrabandës së njerëzve”.
Më herët, sekretari i Jashtëm britanik, David Lammy, njoftoi planet për të kaluar legjislacionin për një regjim të ri sanksionesh që synon të trajtojë emigrimin e parregullt dhe krimin e organizuar të imigracionit, duke e pozicionuar Britaninë si vendin e parë në nivel global që zbaton një kornizë të tillë.
Politika është pjesë e “planit për ndryshim” më të gjerë të qeverisë për të siguruar kufijtë e Britanisë duke synuar rrjetet e trafikimit të qenieve njerëzore dhe duke çmontuar operacionet kriminale që përfitojnë nga kontrabanda e individëve të cenueshëm.
Komente