Nga Atila Kote

Franca është përballur me një reagim të ashpër pas bllokimit të fillimit të bisedimeve zyrtare të BE-së me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë për t’iu bashkuar unionit, duke thelluar një mosmarrëveshje mbi zgjerimin që është bërë një provë vendimtare e ambicieve strategjike të BE-së pas Brexit”, shkruan prestigjiozja britanike ”Financial Times”.

SHBA-ja ka ndërhyrë të premten për të nxitur fillimin e procesit të pranimit për të dy vendet, pasi presidenti francez Emmanuel Macron mbajti një qëndrim refuzues ndaj ofertave të anëtarësimit të tyre gjatë bisedimeve me liderët e tjerë të BE-së në  samitin e Brukselit.

“Koha për të hapur negociatat e pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut është tani”, deklaroi dje Morgan Ortagus, zëdhënëse e departamentit amerikan të shtetit.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të mirëpresin një vendim pozitiv,  duke njohur përpjekjet e të dy vendeve për realizimin e  reformave të nevojshme”, shkruan ajo.

Kritikët europianë ndaj qëndrimit të Parisit deklaruan se kjo është një thyerje e besimit  për premtimet e bëra për dy shtetet e Ballkanit Perëndimor duke nxitur rrezikun për t’i shtyrë ata dhe vendet e tjera të rajonit në orbitën e fuqive rivale si Rusia dhe Kina.

Giuseppe Conte, kryeministri i Italisë, u tha gazetarëve se dështimi për të hapur negociatat e anëtarësimit të të dy vendeve në BE do të mbahet mend si “një gabim historik”.

Donald Tusk, presideti i Këshillit Europian, gjithashtu deklaroi se mos arritja e një marrëveshjeje  për të filluar bisedimet e pranimit ishte një “gabim” .

Shtyrja e ka zhytur qeverinë e Maqedonisë së Veriut në krizë. Partia kryesore e opozitës ka bërë thirrje që qeveria pro BE-së e kryeministrit Zoran Zaev duhet të japë dorëheqjen.

Nikolla Dimitrov, ministri i jashtëm i Maqedonisë së Veriut, tha në twiter:” Më e pakta që BE i detyrohet rajonit është të jetë e drejtpërdrejtë me ne. Nëse nuk ka më konsensus mbi të ardhmen europiane të Ballkanit Perëndimor. . . qytetarët meritojnë ta dinë”.

Ndërsa administrata e Presidentit Donald Trump ka pasur një marrëdhënie të vështirë dhe madje armiqësore me BE-në në disa fusha, pikëpamjet e së cilës për zgjerimin ndahen nga pjesa më e madhe e vendeve të saj anëtare.

Lidhur me negociatat e pranimit të Maqedonisë së Veriut, Franca është kryesisht e izoluar në mesin e anëtarëve të BE-së. Ndërsa për Shqipërinë, skepticizmit të saj i është bashkuar Holanda dhe Danimarka.

Alexis Tsipras, ish-kryeministri grek u dha fund mosmarrëveshjeve për çështjen e emrit me Shkupin, deklaroi në twitter se, refuzimi i fillimit të bisedimeve të pranimit me Maqedoninë e Veriut ishte “një mesazh dobësie dhe disfate për projektin Europian”.

Diplomatët e BE-së pro anëtarësimit të të dy vendeve, deklaruan se besueshmëria e unionit është vënë në diskutim nëse ai vazhdon të refuzojë të hap dyert për shtetet që kanë realizuar reformat e kërkuara. “Vendime të tilla u përcjellin vendeve të tjera mesazhe negative,” deklaroi një prej tyre.

Udhëheqësit francezë kanë theksuar prej kohësh nevojën për të forcuar kohezionin në BE-në e tanishme dhe për të thelluar reformat e saj të brendshme në vend që ta zgjerojnë atë, duke argumentuar se largimi i të shkolluarve dhe emigrimi masiv i të rinjve nga Bullgaria, Rumania dhe Kroacia në pjesën tjetër të BE-së demonstrojnë një problem të zgjerimit të nxituar.

“Unë nuk mendoj se marrëdhënia e vetme që duhet të kemi me vendet fqinjë duhet të jetë një marrëdhënie e zgjerimit. Me 28 vende anëtare nuk funksionon shumë mirë, nuk do të funksionojë shumë mirë edhe me 27 dhe nuk jam i sigurt nëse do të funksionojë shumë më mirë edhe pas zgjerimit”, deklaroi presidenti Macron në fund të takimit.

Parisi dëshiron që Shqipëria të përmirësojë bashkëpunimet e saj për të kufizuar migrimin e paligjshëm në BE. Shumë azilkërkues në Francë janë shqiptarë që mendohet se janë larguar për shkaqe ekonomike dhe jo për t’i shpëtuar persekutimit, por Parisi po tregohet i kujdesshëm që të mos portretizohet se po e shigjeton Shqipërinë për shkak se ajo ka shumicën e popullsisë myslimane, ndërsa favorizon Maqedoninë e Veriut, e cila është kryesisht e krishterë”, shkruan e përditshmja britanike Financial Times/atsh/

Veritas.com.al/