Edhe pse mediat britanike raportuan në orët e fundit se ka një rritje të mbështetjes, Boris Johnson ka vendosur që të mos kandidojë për një rikthim në krye të konservatorëve në Britani.

Në reagimin e tij, ish-kryeministri i Britanisë thekson se kishte arritur të siguronte mbështetjen e nevojshme për t’u rikthyer, megjithatë sipas tij, partia do të ishte e përçarë dhe për këtë arsye ka vendosur të mos kandidojë.

“Gjatë ditëve të fundit, fatkeqësisht kam arritur në përfundimin se kjo nuk do të ishte gjëja e duhur për të bërë. Ju nuk mund të qeverisni në mënyrë efektive nëse nuk keni një parti të bashkuar në parlament”, tha Johnson. Ai theksoi se është i vendosur për të punuar e për t’u rikthyer fitues në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2024.

Ndërkohë, Rishi Sunak, ish-ministri i Financave në Britaninë e Madhe, konfirmoi sot faktin se është në garë për t’u zgjedhur kreu i ri i konservatoreve në vend dhe rrjedhimisht edhe kryeministri që do të zëvendësojë Liz Truss.

Vendimin ai e bëri publik në rrjetin social Twitter pas takimit privat që pati me Boris Johnson e tashmë është në garë me Penny Mordant. “Kam shumë besim për procesin që po ndjekim. Unë po ju them se jam në të për ta fituar”, tha Mordant.

Konservatorët janë vënë edhe një herë në lëvizje për një betejë të re në Downing Street, pasi qeverisja kaotike e Liz Truss mbërriti në fund, pas vetëm 6 javësh. Kandidatët për ta zëvendësuar atë duhet të sigurojnë mbështetjen e të paktën 100 kolegëve, çka e kufizon numrin e garuesve në vetëm 3 duke qenë se konservatorët numërojnë 357 deputetë.